Kosova

Macron, Scholz dhe Meloni i kërkojnë Kurtit ta themelojë Asociacionin


Një ditë para takimit me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Bruksel, Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, përmes një letre të përbashkët nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, i është kërkuar që t’i respektojë të gjitha marrëveshjet e Brukselit, në mesin e tyre edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Në konkluzionet e tij të datës 9 mars, Këshilli Evropian shprehu mbështetjen e tij për këtë marrëveshje të rëndësishme dhe në të njëjtën kohë i kërkoi Serbisë dhe Kosovës t’i përmbahen, plotësisht dhe pa kushte, detyrimet që u angazhuan në kuadër të dialogut, përfshirë marrëveshjet nga viti 2013 dhe 2015 për të krijuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet në letrën e përbashkët të Macron, Scholz dhe Meloni.

Po ashtu në këtë letër ata kanë mirëpritur deklarimet publike të kryeministrit Kurti sa i përket propozimit Evropian.

“Presidenti Macron, Kancelari Scholz dhe Kryeministrja Meloni janë shprehur të bindur se konkludimi dhe zbatimi i propozimit Evropian, është me rëndësi thelbësore për përfitimin e përgjithshëm të qytetarëve të Republikës së Kosovës, për paqen dhe zhvillimin prosperues të rajonit dhe për përparimin e perspektives Evropiane të vendit”.

Letra e Macron, Scholz dhe Meloni

Pos Kurtit, një letër e nënshkruar nga Macron, Scholz dhe Meloni i është dërguar të shtunën edhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

Por, çfarë shkruan në letër nuk është bërë publike akoma.

Ndryshe, të hënën e 27 shkurtit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të dialogut në Bruksel.

Po ashtu Bashkimi Evropian, gjegjësisht Shërbimi Evropian për Çështjet e Jashtme në Bruksel, ka publikuar agjendën e takimit të nivelit të lartë në mes të Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç’it.

Sipas agjendës, Përfaqësuesi Special për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, së bashku me të dërguarin e posaçëm për dialog, Miroslav Lajçak, fillimisht do të zhvillojnë takime të ndara me Kurtin e Vuçiç’in duke filluar nga ora 15:00, pas së cilës do të pasojë një takim trepalësh.

Tashmë edhe Kurti edhe Vuçiç kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin në fjalë në të cilën, sipas agjendës, do të diskutohet propozimi franko-gjerman (evropian).

Agjenda ndër të tjera ka bërë të ditur se pas takimit trelateral është planifikuar edhe një konferencë për media nga shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore