Zgjedhjet në Shqipëri

Lulzim Basha mbyll fushatën e PD-së: Premtoj fitoren më të thellë të Partisë Demokratike


Në sheshin Nënë Tereza, në Tiranë u zhvillua mbyllja e fushatës elektorale të Partisë Demokratike. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, mbajti fjalim aty ku e pikënisi dhe fushatën e tij para zgjedhjeve elektorale të 25 prillit.

Ai ka shprehur gjithë kënaqësinë dhe ngazëllimin që ka marrë nga gjithë rrugëtimi i takimeve elektorale në çdo qark, qytet, familje anembanë Shqipërisë.

Kryetari Basha iu drejtua jo vetëm simpatizantëve të pranishëm, por edhe publikut të gjerë.

Sipas tij, kjo ëndërr do të bëhet realitet vetëm nga pjesëmarrja e tyre në votimet e 25 prillit, që do të jenë pika e kthesës për t’u bërë ëndrra e tyre, që ta shohin Shqipërinë në zemër të Europës.

Sakaq, zotimi dhe vullneti i tij politik riafirmohet si një vullnet për ndryshim, ashtu siç, në thelb ka qenë edhe motoja e aleancës, fushatës dhe e Partisë Demokratike.

Ai ka premtuar fitoren më të thellë, sepse sipas tij në këto 8 vite kryeministri Rama ka vjedhur e grabitur pasurinë e shqiptarëve dhe ëndrrat e tyre.

“Kjo nuk është Tirana e Edi Ramës, por e juaja dhe kështu do të jetë gjithmonë. E gjitha kjo do të provohet më 25 prill nga vota dhe vullneti juaj”, shtoi Basha.

“Në këtë shesh ushtojnë zërat e demokratëve dhe demokrateve, qytetarëve e qytetareve, simpatizantëve e simpatizanteve, e sidomos atyre që na ndjekin nga shtëpia, mirëserdhët në bashkimin e shqiptarëve”, ishte një nga thirrjet e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Jo rrallë herë, ai ka përsëritur së bashku me të pranishmit se zgjidhja dhe alternativa e 25 prillit është numri 9.

“Të gjithë ata që do të votojnë më 25 prill, nuk do të jenë shërbëtor të askujt përveçse të ligjit”, deklaroi Basha.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore