Lajme

Lirohet anija “Ever Given” nga kanali i Suezit


Anija e madhe me kontejnerë, e cila kishte ngecur në kanalin e Suezit për thuajse një javë, raportohet se është liruar.

Ever Given, lundruesja 400 metra e gjatë, është drejtuar dhe më pas liruar përgjatë vijës ujore të kanalit.

Pavarësisht kësaj, pronari i anijes ka raportuar se ajo thjesht është drejtuar, por ende nuk ka nisur lëvizjen.

Ever Given ka bllokuar një nga ngushticat më të ngarkuara për rrugët tregtare. Kompani të mëdha kanë qenë të detyruara të kthejnë mbrapsht anijet e tyre ose të zgjedhin rrugë të zgjatura drejt vendmbërritjeve.

Kjo ka shkaktuar dëme të mëdha ekonomike, edhe pse ende nuk ka një raport të qartë mbi to.

Raportimet e lirimit të anijes kanë ngjallur shpresë për lirimin e trafikut në kanal. Rreth 9.6 miliardë dollarë mallra janë mbajtur “peng” çdo ditë për shkak të bllokimit të rrugës detare.

Kursi i anijes u korrektua me 80%, për shkak të pjerrësisë në të cilën ajo kishte ngecur. Tashmë po punohet për vënien e saj në lëvizje sipas autoriteteve detare lokale.

Plani është që anija të lëvizë drejt detit të hapur, ku më pas mund të kryejë procedurat e tjera. Prioriteti parësor është hapja e kanalit.

Ever Given-i 200 mijë tonësh mbeti i bllokuar në kanal për shkak të erërave të forta. Kushtet atmosferike jo të favorshme bënë që dukshmëria të ishte e ulët të martën e 23 marsit. Ajo mbante në bord rreth 20 mijë kontejnerë.

Rreth 12% e gjithë tregtisë botërore kalon mes kanalit 193 kilometra të Suezit. Ai lidh detin Mesdhe me Detin e Kuq dhe është lidhja më e shkurtër detare midis Azisë dhe Evropës.

Alternativa tjetër, është përshkimi i gjithë bregut të kontinentit afrikan. Udhëtim ky, që mund të zgjasë dy javë më shumë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore