Aplikacione

‘Limitet’ e Instagram-it ndaj mesazheve abuzive


Media sociale, Instagram, ka prezantuar veçori të reja të dizajnuara për të kufizuar mesazhet abuzive gjatë “goditjeve të papritura”.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se karakteristika e saj e re e “kufijve” fsheh automatikisht komentet dhe mesazhet nga njerëzit që nuk janë ndjekës të profilit ose sapo kanë filluar ta ndjekin atë.

Dhe se kjo bëhet e mundur pasi përdoruesit e aktivizojnë veçorinë e re.

Ajo u krijua për të ndaluar abuzimin nga një numër i madh njerëzish “të cilët thjesht grumbullohen në këtë moment”, ka treguar Instagram-i.

Kompania i është referuar në mënyrë specifike abuzimit racist pas finales së futbollit Euro 2020 si një shembull.

Pas humbjes së Anglisë në një penallti, lojtarët me ngjyrë e gjetën veten të nënshtruar ndaj një vërshimi të abuzimit racist në platformat e mediave sociale.

Goditje të papritura

Mirëpo, niveli i abuzimit nxiti thirrjet e kryeministrit dhe të tjerëve që rrjetet sociale të bënin më shumë për ta parandaluar atë, si dhe disa arrestime të mëvonshme.

Në korrik, Instagram-i ka pranuar se kishte bërë “gabime” në moderimin e abuzimit, dhe më vonë ka premtuar se do të ndërmerrte një shqyrtim më të afërt në sistemin e tij të software-it.

Kurse për tiparet e tij të reja ka sqaruar se u krijuan për të mbrojtur njerëzit nga “një goditje e papritur” e vëmendjes negative.

“Krijuesit dhe figurat publike ndonjëherë përjetojnë goditje të papritur të komenteve dhe kërkesave të DM-së (mesazhe direkte) nga njerëz që nuk i njohin”, ka deklaruar platforma.

“Çka ndonjëherë, mund të nënkuptojë një hyrje të komenteve ose mesazheve të padëshiruara”, ka shtuar.

Veçoria e re, në vend që të kërkojë nga përdoruesit që të çaktivizojnë plotësisht të gjitha komentet dhe mesazhet, do të lejojë këdo që t’i kthejë në mënyrë efektive në të pazëshme ato.

Dhe se mund të vihet në punë ose të hiqet në çdo kohë.

Gjithashtu kompania ka njoftuar se po prezanton edhe sistemin e saj të shpallur më parë “Fjalët e Fshehura” për të gjithë në mbarë botën.

Instagram-i ka treguar se kishte “zgjeruar” bllokun e fjalëve, hashtag-eve dhe emoji-ve që sistemi bllokoi automatikisht për të filtruar mesazhet abuzive, të cilat përdoruesit individualë mund t’i personalizojnë.

Paçka këtyre, njoftimi i Instagram-it pason atë të Twitter-it, i cili kishte fshirë më shumë se 2 mijë tweet-e që synonin futbollistët e Anglisë në prag të finales së Euro 2020.

Prej tyre, Britania e Madhe ishte vendi i origjinës së pjesës më të madhe të abuzimit racist dhe nga llogaritë që Twitter-i kishte pezulluar përgjithmonë, “99 për qind e pronarëve të tyre ishin të identifikueshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore