Lajme

Liberalizimi i vizave, Kurti: Faleminderit eurodeputetëve për mbështetjen e tyre


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar si lajm të mirë vendimin e Parlamentit Evropian për udhëtimin pa viza për kosovarët duke filluar nga 1 janari 2024.

“Kjo na sjell një hap të rëndësishëm më pranë Bashkimit Evropian dhe duke kontribuar në pasurinë që ofron BE. Faleminderit eurodeputetëve për mbështetjen e tyre”, ka shkruar Kurti në Twitter.

 

Në procesin më të gjatë krahasuar me secilin shtet, pas plotë 12 vjetësh procedura, Parlamenti Evropian ka miratuar vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ky votim ishte hapi përfundimtar i proceduarës që kulmon me 1 janar 2024, kur kosovarët do të mund të udhëtojnë në zonën Schengen pa viza.

“Nuk kam marrë asnjë propozim për të refuzuar qëndrimin e Këshillit të ministrave të BE-së dhe asnjë amendament. Prandaj, është miratuar qëndrimi i Këshillit dhe është miratuar akti i propozuar”, tha kryetarja e Parlamenti Evropian, Roberta Metsola.

Më 19 prill, pritet të nënshkruhet akti ligjor për liberalizimin e vizave, ndërsa hapi i vetëm që duhet të bëhet pas kësaj, është botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare të BE-së dhe hyrja në fuqi e tij.

Rregullat do të lejojë kosovarët që të udhëtojnë pa viza në BE për një periudhë 90 ditore në çdo cikël 180 ditor.

Sipas qëndrimit të Këshillit, përjashtimi nga kërkesa për vizë do të zbatohet nga data e fillimit të funksionimit të Sistemit Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) dhe në çdo rast jo më vonë se 1 janari 2024.

Në njoftimin e Këshillit për liberalizimin e vizave për Kosovën thuhet se Kosova ka bërë progres tejet të rëndësishëm në të gjitha stacionet e kushteve për liberalizmin e vizave përfshirë edhe fushat e sigurisë së dokumenteve, kufijve, migrimit, rendit publik, dhe të drejtat fondamentale lidhur me lirin e lëvizjes.

Në bazë të këtyre rezultateve, Komisioni kishte propozuar heqjen e vizave për kosovarët.

Kalimi edhe i Kosovës në udhëtime pa viza nënkupton që i gjithë Ballkani do të jetë në të njëjtin regjim vizash në raport me BE-në.

Derisa të vij 1 janari i 2024-së, Komisioni do të vazhdojë të monitorojë implementimin e kërkesave të BE-së.

BE na i hoqi vizat, pas 12 vjetësh

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore