Lajme

Lekaj apo Durmishi, kush e lansoi e-testimin për patentë shofer?


Testimi i parë me shkrim online, e-testimi, 3 korrik 2019

“Po fillojmë për ta implementuar një standard evropian që ka ndikim edhe në sigurinë e qytetarëve por edhe ndoshta në atë padrejtësinë apo ngritjes së nivelit për kandidatë dhe mendoj që është një punë e mirë”, kishte deklaruar ish Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, më 3 korrik të vitit 2019, kur lansoi për herë të parë mënyrën elektronike të testimit me shkrim, për patentë shofer, E-testimit.

Përurimi i kësaj nisme të re u bë në Njësinë e Patentë Shoferit në Prishtinë.

Por në komunikatën për medie të kësaj ministrie thuhet se, kjo formë testimi do të zgjerohet edhe në pikat tjera të Kosovës.

“e-Testimi” nga sot do të jetë funksional në Njësinë e Patentë Shoferit në Prishtinë, kurse brenda vitit do të implementohet në tërë territorin e Kosovës”.

Madje për këtë projekt Ministria kishte ndarë edhe buxhet.

“Ky projekt ka kushtuar afër 240 mijë euro, ku 200 mijë kanë kushtuar serverët shumë dimensional që janë vendosur në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit (ASHI), ku edhe do të ruhen të gjitha të dhënat e kandidatëve që testohen”, thuhet në komunikatën zyrtare të Ministriseë së Infrastrukturës e cila është akoma e publikuar në faqen e kësaj ministrie.

Komunikatë për medie e Ministrisë së Infrastrukturës më 3 korrik 2019

I kontaktuar nga Albanian post, ish Ministri Pal Lekaj ka treguar se ky projekt pati ngecje në realizim.

“Po është e vërtetë ne e kemi lansuar projektin, por është dashur të kontraktohen edhe disa përditësime në sotware. Për atë arsye ka ngecur për disa muaj, por nuk e di pse ka ngecur për dy vite”, ka thënë Lekaj për Albanian Post.

“Ne i kemi vu ne funksion e kemi testuar dhe është mbajtur provimi i parë. Më shumë nuk kam informacione, ka thënë Lekaj për AP.

Ish Ministri Pal Lekaj, ne lansimin e e-testimit ne Prishtine

Të mërkurën e 29 dhjetorit të këtij viti, dy vite e gjysmë pas iniciativës së Lekajt, zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi në një konferencë për medie ka deklaruar se për herë të parë po lanson formën online të testimit për patentë shofer, e-testimin.

“Nuk ka më asnjë mundësi që përmes aferave korruptive të pajiset me patentë-shofer, pra eliminohet komplet faktori njëri”, ka thënë zëvendësministri i mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

Sipas tij, ky projekt do të mundësoj që të zvogëlohen gabimet që kanë ndodhur në të kaluarën.

“Sot jemi këtu për ta lansuar një projekt në fushën e patentë-shoferëve, i cili ka filluar që një kohë të gjatë, mirëpo ky projekt për gjithë Kosovën, si një projekt në fushën e patentë-shoferëve, i cili do ta lehtësoje shumë punë në këtë njësi, në të njëjtën kohë do ta ulë kohën e pritjes për pjesën teorike të provimit për patentë-shofer”, ka deklaruar Durmishi.

Ai bëri të ditur se nga 5 janari do të fillojë implementimi i E-testimit në shtatë qendrat regjionale të Kosovës.

“Kjo është një reformë në njësinë e patentë-shoferëve, gjatë muajit dhjetor e kemi pas fazën testuese në gjitha qendrat regjionale dhe që në fillim të janarit do të fillojmë ne të gjitha shtatë qendrat regjionale që ta implementojmë në tërësi këtë projekt”, ka thënë ai.

Zëvendësministri i mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Hysen Durmishi .

Sipas Durmishit kjo, “do t’i eliminojë gabimet teknike që do të kishin qenë në mënyrën sesi është praktikuar deri me tani”.

Ndërsa Drejtori i Njësisë së Patentë Shoferit në Prishtinë, Fejzullah Mustafa, ka thënë për Albanian Post se ky projekt u nis si “Pilot Projekt në Prishtinë”.

“Po është e vërtetë që është lansuar në vitin 2019, por ka qenë pilot projekt vetëm në një qendër të patentë shoferit, vetëm në Prishtinë. Tani kjo po lansohet në të gjithë Kosovën”.

“Kemi pak probleme me sofwerin në Pejë, dhe jemi duke u munduar këto dy ditët e fundit ta rregullojmë, por edhe nëse nuk fillojmë me Pejën në të njëjtën kohë, mund të fillojmë pas një jave”, ka shpjeguar Fejzullah Mustafa për Albanian Post.

“Pra tani do të ketë formë elektronike të testimit në të gjithë Kosovën, në të gjitha qendrat e mëdha, në Gjilan, Ferizaj, Prizren, Gjakovë e Mitrovicë”, shtoi ai.

Mustafa tregoi se E-testimi, aktualisht është duke u mbajtur vetëm për kandidatët të cilët duan të pajisen me kategorinë B të patentë shoferit, por shpejt pritet që të zgjerohen.

“Po ashtu, jemi duke punuar intensivisht që projekti të funksionalizohet edhe për kategoritë tjera siç janë: A, C, C1 dhe D”.

Kjo mënyrë e testimit sipas Mustafës është shumë më efikase sesa testimi i deri tanishëm.

“Rritë transparencën gjatë testimit të kandidatëve, parandalon gabimet e mundshme teknike, rrit cilësinë e testimit, rrit efikasitetin në testim dhe dhënien e rezultateve në kohën reale (nuk do të ketë pritje për marrjen e rezultatit) etj”.

Por Mustafa njofton se digjitalizimi i këtij sistemi nuk përfundon vetëm me formën e testimit.

“Gjatë vitit 2022 sistemi do të avancohet/dixhitalizohet edhe më shumë, ku aplikimet e kandidateve do jenë përmes platformës së sistemit online, pagesat do të realizohen në mënyra dixhitale, do të ketë shumë më pak letër të printuar (mbrojta e mjedisit) marrë parasysh se sistemi do të mundësoj që dokumentet të vendosen në sistemin online”, ka përfunduar Mustafa për Albanian Post.​

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore