Lajme

Largohen shitësit ambulantë nga sheshi “Nënë Tereza” në Prishtinë


Sheshi i Prishtinës.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se inspeksioni komunal të mërkurën e 22 dhjetorit ka zhvilluar një aksion për largimin e shitësve ambulantë.

Ai përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se shitja “ilegale” e produkteve të pakontrolluara nuk lejohet.

“Sot, inspektorët tanë kanë larguar nga Sheshi ‘Nënë Tereza’ të gjithë shitësit ambulantë, të cilët veprojnë aty pa leje, ilegalisht”, ka shkruar Rama.

Sipas tij, ato mund të kenë edhe efekte negative në shëndetin publik.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama

“Ne nuk mund të lejojmë shitje ilegale të produkteve të pakontrolluara, në sheshet tona, të cilat mund të kenë efekte negative në shëndetin publik”, shtoi ai.

Ndërkaq, më shtatë dhjetor të këtij viti, Rama zyrtarisht ka marrë detyrën e kryetarit të komunës së Prishtinës.

Teksa dha betimin si kryetar i cili do të qeverisë për katër vjetët e ardhme në kryeqytetin e Kosovës, në këtë ceremoni inaguruese, Rama tha se “prej sot zëri i qytetarëve, vullneti i mirë për të bërë ndryshime të mbara e afatgjata në Prishtinën tonë të zemrës nuk është më moto e fushatës por zotim i imi dhe ekipit tim”.

“Unë Përparim Rama betohem se do t’i kryej detyrat dhe do t’i ushtroj kompetencat si kryetar i Prishtinës me nder, besnikëri, në mënyrë të paanshme, me ndërgjegje dhe në pajtim me ligjin në mënyrë që të sigurojë kushte për një jetë të qetë për të gjithë”, u betua Rama.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama

“Jam i vetëdijshëm që kjo detyrë përtej privilegjit është obligim serioz dhe sfidë e madhe të cilës do t’i vihemi përpara me punë të ndershme, profesionalizëm dhe dinjitet”, shtoi ai.

Teksa falënderoi qytetarët dhe shprehu mirënjohje për ta, Rama theksoi se guximi i tyre për të ndryshuar mos të ndalet këtu.

“Guximi me ia dashtë të mirën e vendit tonë mos të ndalet këtu, ajo çka na bashkoi gjatë fushatës, për me ia ndërruar të bukurën, për të shpresuar për një të ardhme më të mirë është forca që do të na duhet në vazhdim, forca e unitetit, sinqeritet e bashkimit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore