Lajme

Lajçaku (nuk) ia tregoi opozitës draft-statutin


Mirosllav Lajçak

Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka përmbyllur vizitën dyditore në Kosovë, misioni i së cilit ka qenë hapja e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe për udhëheqësit e partive opozitare në Kosovë dhe informimi mbi dinamikën e re të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Lajçaku ka zhvilluar të martën një takim të përbashkët me udhëheqësit e partive opozitare në vend, përkatësisht kreun e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, nënkryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutifi Haziri dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ku në fokus kanë qenë zhvillimet e reja.

Dy përfaqësuesit e PDK-së dhe LDK-së kanë deklaruar pas takimin se Lajçaku i ka njoftuar vetëm përgjithësisht mbi draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa kreu i AAK-së ka pohuar t’i jetë prezantuar dokumenti i plotë.

Megjithatë Albanian Post ka kuptuar nëpërmjet burimeve ndërkombëtare se të gjithë të pranishmëve iu është paraqitur draft-statuti i plotë, por iu është kërkuar, njëjtë si kryeministrit kosovar, Albin Kurti, që të ruhet konfidencialiteti i dokumentit dhe të mos shpalosen detaje për publikun.

Në përgjithësi, procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi është karakterizuar prej një mungese radikale të transparencës. Në fakt, ishte bërë e ditur se dialogu po vijon në kushte konfidencialiteti për të krijuar rrethanat që do t’u mundësonin palëve të angazhohen më hapur me njëra-tjetrën, porse këtë praktikë e ka kritikuar tejmase opozita kosovare.

Gjithsesi, pas takimit, kreu i PDK-së, përveçse ka njoftuar se Lajçaku sërish ka përsëritur se draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, mohoi ta ketë parë, prandaj thirri për zbulim të hollësive nga institucionet e Kosovës.

“Ne kemi nevojë t’i shohim hollësitë e tekstit për të qenë të sigurt se një themelim i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nuk do ta ndryshojë për të keq karakterin unitar të shtetit dhe nuk do ta transformojë Republikën e Kosovës nga idealet e themeluesve”, ka theksuar Krasniqi në një prononcim para gazetarëve pas takimit me Lajçakun në Prishtinë.

Edhe nënkryetari i LDK-së, ndonëse nuk ka dhënë detaje, ka thënë se në takimin me top-diplomatin sllovak ka përsëritur angazhimin e subjektit të tij në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e BE-së, ndërsa ka vlerësuar edhe angazhimin e Lajçakut në këtë drejtim, përkundër mungesës së transparencës.

“Besoj që angazhimi i tij dhe ndarja e kohës për LDK-në dhe partitë e tjera opozitare është për t’u vlerësuar, përkundër që po vazhdojmë të mbahemi, në një formë apo një tjetër, në terr për shkak të mos-zbardhjes së dokumentit dhe mungesës së transparencës”, ka nënvizuar Haziri, derisa një version krejt të ndryshëm nga kolegët opozitarë e ka dhënë kreu i AAK-së.

Haradinaj ka njoftuar se së bashku me përfaqësuesit e PDK-së dhe LDK-së e ka lexuar në tërësi draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe së këndejmi, ka shtuar se i njëjti është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, ndonëse është “bukur i pasur” për nga gama e mundësive dhe lehtësirave për komunitetin serb në Kosovë.

Nga ana tjetër, emisari i BE-së për dialogun, nëpërmjet një postimi në platformën “X” pas takimit me udhëheqësit e opozitës kosovare, ka njoftuar se ka pasur një ditë “shumë produktive” në Kosovë, veçanërisht në lidhje me diskutimet rreth dinamikës së re në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve dhe rrugën përpara drejt zbatimit të marrëveshjeve.

Lajçaku ka arritur në Kosovë pasditen e së hënës. Ai ka takuar edhe shefin e ekipit negociator të palës kosovare, Besnik Bislimi, me të cilin, ndër të tjera, ka arritur njëfarë pajtueshmërie për “hapat e radhës” në procesin e dialogut dhe zbatimin e plotë “pa vonesa e parakushte” të Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars).

Vizita e përfaqësuesit të BE-së në Kosovë ka ardhur rreth dy javë pas ciklit të takimeve në Bruksel, ku kryeministri kosovar, Albin Kurti dhe preisdenti serb, Aleksandër Vuçiç, janë takuar veç e veç me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, pas “stuhisë diplomatike” të tetorit.

E përderisa terreni i kërkimit të madh për “shkakun e vetëm” dhe “formulën e zgjidhjes” është duke vijuar, së shpejti do të ftohen në një takim në Bruksel kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për të diskutuar hapat drejt zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore