Lajme

Lajçak për takimin Bislimi – Petkoviç: Ishte e rëndësishme të vërtetoheshin disa fakte për dinarin 


Takimi: Besnik Bislimi - Petar Petkoviç në Bruksel

I deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, përmes një postimi të gjatë në platformën sociale, X, ka njoftuar për angazhimin e tij gjatë kësaj jave dhe javën e kaluar lidhur me procesin e dialogut.

Diplomati sllovak fillimisht ka njoftuar për takimin që Besnik Bislimi e Petar Petkoviç-i realizuan të martën në kuadër të dialogut për çështjen e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës e cila ndaloi valutën shtetërore serbe, Dinarin, për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e Kosovës.

Sipas Lajçak-ut në këtë takim “ishte e rëndësishme të vërtetoheshin disa fakte”.

“Ne ramë dakord që të vazhdojmë diskutimin tonë për këtë çështje të hënën e ardhshme në Bruksel, bazuar në propozimet konkrete dhe realiste që palët pritet të paraqesin paraprakisht”.

Në të njëjtën kohë, sipas Lajçakut takimi mes kryenegociatorëve ka treguar gjithashtu se zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit dhe mënyra se si të zyrtarizohet ajo kërkon një takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut.

Ndër të tjera Lajçak ka njoftuar edhe për vizitën e tij në Kosovë dhe Serbi ku takoi zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Besnik Bislimin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Në të dyja takimet, nënvizova nevojën e zbatimit të Marrëveshjes pa vonesë dhe trajtova çështjet urgjente që prekin Dialogun”.

Diplomati sllovak gjithashtu ka njoftuar për një takim që ka realizuar javë më parë me Jens Plotner, këshilltarin kryesor për politikë të jashtme të kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

“Ne diskutuam gjendjen aktuale në dialog, si dhe situatën në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore