Shqipëria

Kushi: Miratohet udhëzuesi nga ASCAP për përmirësimin e arritjeve të nxënësve


Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në Shqipëri, Evis Kushi, përmes një postimi në median sociale Facebook, ka njoftuar se është miratuar udhëzuesi i hartuar nga Agjencia për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin Parauniversitar (ASCAP) lidhur me përmirësimin e arritjeve të nxënësve, si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia COVID-19.

Sipas saj, qëllimi i tij është që t’u mundësojë nxënësve për një periudhë dyjavore në fillim të muajit shtator 2021 të përsërisin, përforcojnë apo përmirësojnë njohuritë e tyre lidhur me mangësitë e identifikuara gjatë vitit të kaluar shkollor.

“Për sa u takon temave që do të zhvillohen, ato do të jenë në formën e konsultimeve dhe në varësi të nevojave të identifikuara për çdo shkollë. Në këtë kuadër, nxënësit janë të lirë t’i ndjekin sipas nevojave të tyre, ndërsa prindërit janë të lutur të bashkëpunojnë për realizimin me sukses të këtij procesi”, bën me dije ministrja.

Ndër të tjera, Kushi u bën thirrje organeve të vetëqeverisjes vendore që t’i marrin masat e duhura, në mënyrë që infrastruktura e shkollave të jetë gati për datën 1 shtator 2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore