Lajme

Kusari për paralajmërimet e ZRRE-së: Kemi kërkuar llogari për borxhet që janë mes operatorëve


Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila

Paralajmërimet për shtrenjtim të energjisë elektrike nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) sipas shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila janë bërë vazhdimisht.

Por, ka sqaruar se Qeveria e Kosovës vazhdimisht ka intervenuar me subvencione për të lehtësuar krizën energjetike për qytetarët.

“Përderisa kërkesa mund të kenë operatorët, dhe gjithë ata që janë pjesë e sektorit të energjisë dhe pastaj varet nga vendimi i ZRRE-së dhe nga veprimet e qeverisë. Ne kemi pasur kërkesë të tillë edhe më herët megjithatë ka intervenuar Qeveria me subvencione”, deklaroi Kusari-Lila.

Ajo tutje sqaroi se mbi 200 familje janë përfituesë të subvencionit dhe se kanë kërkuar nga ZRRE-ja që të informohen për borxhet e operatorëve.

“Është shumë e rëndësishme që në këtë proces të kemi komunikimin e rregullt të kemi gjitha akterët në këtë sektor në kryerje të detyrës. Edhe ne dje kemi kërkuar llogari nga ZRRE-ja mbi borxhet në sektor që janë në mes të operatorëve”, tha ajo për agjencinë e lajmeve Ekonomia Online.

Kusari-Lila shtoi se mbledhja e të martës në Zyrën e Rregullator të Energjisë ishte vetëm shqyrtim vjetor.

“Ajo çka ZRRE-ja diskutoi të martën ishte shqyrtimi i rregullt i tarifave, shqyrtimi vjetor që bëhet në periudhën e pranverës në të cilën bëhet bilanci i sektorit për periudhën më të rendura në energjinë eklektikë e cila është periudha e dimrit”, tha ajo.

Më 7 shkurt, nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) është thënë se janë duke e shqyrtuar kërkesën e KESCO-s dhe KEDS-it për shtrenjtim të energjisë elektrike.

Kryetari i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, në Komisionin parlamentar për Ekonomi, bëri të ditur se në dhjetor të vitit të kaluar kanë filluar shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike.

Fejzullahu ka deklaruar se janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për këtë shqyrtim të tarifave.

“Kur është dorëzuar ky plan i performancës në nëntor të vitit të kaluar, siç e dini ZRRE-ja në atë kohë nuk e ka hapur shqyrtimin e jashtëzakonshëm. Shqyrtimi i jashtëzakonshëm si një prej aktiviteteve që nuk mund të parashihet në kuadër të aktiviteteve dhe të planit të performancës, është edhe shqyrtimi i jashtëzakonshëm i tarifave, i cili edhe në vitin e kaluar ka ndodhur një here”, ka thënë Fejzullahu.

Ai kishte paralajmëruar se edhe ky vit do të jetë sfidues, pasi çmimet e energjisë në bursat ndërkombëtare janë tejet të larta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore