Lajme

Kurti zotohet në Vjenë se do ta mbrojë vendin: Kosova, ithtare e paqes dhe sigurisë rajonale


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se janë të vetëdijshëm për kujtimet përndjekëse të konflikteve të së kaluarës, derisa ka shtuar se aktet terroriste të paramilitarëve serbë në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, janë përkujtues të sfidave me të cilat, sipas tij, përballet mbarë rajoni.

Në ceremoninë hapëse të edicionit të 20-të të Forumit Ekonomik të Vjenës, ai ka thënë se sulmi terrorist i 24 shtatorit nuk ka qenë sulm vetëm ndaj Kosovës, por ndaj idelave të popujve të Ballkanit Perëndimor – bashkëjetesës paqësore, demokracisë liberale dhe shtetit të së drejtës – derisa është zotuar se do të punojë në mbrojtjen e sigurisë dhe prosperitetit rajonal.

“Jam i vendosur për të mbrojtur sigurinë e vendit tonë, për të garantuar mirëqenien e çdo qytetari dhe për të krijuar një mjedis ku prosperiteti ekonomik mund të lulëzojë i papenguar nga frika dhe i disponueshëm për të gjithë. Ne qëndrojmë të përkushtuar për rritjen e masave të sigurisë, jo vetëm brenda kufijve, por sikur itharë aktivë të paqes dhe sigurisë rajonale”.

Kreu i ekzekutivit kosovar, sipas komunikatës së shërbimit për shtyp të Zyrës së Kryeministrit, ka thënë se në kohën kur bota është e mbushur me skena konflikti, organizimi i Forumit Ekonomik të Vjenës bëhet edhe më i rëndësishëm, sepse ai nënvizon domosdoshmërinë për të qëndruar së bashku, për të folur së bashku dhe të punuar së bashku.

“E ardhmja jonë është e ndërthurur me mirëqenien e çdo vendi të përfaqësuar në këtë sallë, të kontinentit tonë evropian dhe Bashkimit Evropian si fati ynë që ne përqafojmë, me çdo komunitet që premtojmë t’i shërbejmë dhe me frymën kolektive që mishëron ky forum”, ka deklaruar ai, derisa ka shprehur falënderimin dhe mirënjohjen e tij për besimin.

Kryeministri Kurti ka udhëtuar drejt Austrisë të dielën, pas vizitës dy-ditore në Paris të Francës, ku edhe ka marrë pjesë në edicionin e pestë të Forumit të Paqes (PPF), i cili ka mbledhur rreth vetes liderë, diplomatë e personalitete të shoqërisë civile nga mbarë bota, nën trysninë e kërcënimeve ndaj paqes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore