Lajme

Kurti takon Sarrazin: Kosova konstruktive dhe e gatshme për dialog të hapur


Manuel Sarrazin dhe Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një vizite zyrtare në Francë, ka takuar të deleguarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, me të cilin kanë diskutuar për takimin e 18 marsit në Ohër ku pritet të negociohet për planin e zbatimit të Marrëveshjes së dakordësuar më 27 shkurt në Bruksel.

Kosova, sipas Kurtit, është konstruktive, kreative dhe e përkushtuar për dialog të hapur dhe thelbësor drejt një marrëveshjeje për normalizim e plotë të marrëdhënieve.

“E falënderova Sarrazin për rolin dhe mbështetjen e vazhdueshme”, ka shkruar Kurti në rrjetin e tij social në Twitter.

Ndryshe një ditë më parë Sarrazin, tha se propozimi aktual i Evropës për dialogun Kosovë-Serbi, është marrëveshja më e mirë e mundshme që Kosova ka mundur ta ketë në tavolinë.

“E kuptoj se mund të ketë shqetësime të formulimeve të ndryshme, është gjë fisnike, është Marrëveshje shumë e rëndësishme për Kosovën dhe duhet të trajtohet”.

“Ka dy gjëra shumë të rëndësishme, së pari ajo është publike dhe mund të lexohet, sigurisht se mund të ketë vlerësim secili”, ka thënë ai për televizionin publik të Kosovës.

Emisari gjerman është i bindur se kjo është marrëveshja më e mira në kuptimin e organizimit që mund të arrihet.

“Nuk besoj se mund të kishte formulim më të mirë për interesat e Kosovës në atë marrëveshje e që do të ishte realiste për të arritur në proces”.

“Pra është krejtësisht e qartë, nëse kjo marrëveshje do të refuzohet nga Kosova, nuk do të ketë asnjëherë marrëveshje më të mirë në tryezë, nuk do të thotë ta pëlqeni, të jetë e përkryer. Nusja nuk do të thotë se është shumë e bukur, por martesa duhet të bëhet, ndoshta marrëveshja nuk është krejtësisht e duhura, ose më e mira e mundshme, mirëpo duhet të shihen mundësitë e së ardhmes që përqafohen nga kjo marrëveshje”, ka thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore