Lajme

“Kurti s’ka guxim të arrijë marrëveshje me Serbinë”


Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se kryeministri Albin Kurti, nuk ka guxim të arrijë marrëveshje finale me Serbinë.

“E shoh shumë të pa sigurt në atë se çfarë bën. Të kesh mbështetjen e 50 për qind të elektoratit dhe të mos kesh guxim që të arrish marrëveshje historike me Serbinë. Cila është vlera e këtij legjitimiteti?”, ka pyetur Hoxhaj në një intervistë në Euronews Albania.

Sipas deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, hapat që i ka marrë në Veri kryeministri Kurti dhe mënyrën si po e trajton Amerikën dhe Bashkimin Evropian ka bërë që “më shumë kundërpesha dhe vëmendja të lëvizë drejt Serbisë, e që në të kaluarën ne e kemi pasur ne si Kosovë”.

“Kosova duke qenë nën udhëheqje të Hashim Thaçit ka qenë një faktor i paqes në Ballkan, tash Albin Kurtit si beson Uashingtoni dhe Brukseli”.

Gjatë kësaj interviste, Hoxhaj, ka theksuar se ish-ndërmjetësuesi kryesor i Kombeve të Bashkuara për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe ish-presidenti finlandez Martti Ahtisaari, ishte “profet dhe vizionar” në parashikimin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Ahtisaari ka qenë një lloj profeti në mënyrën se si e ka udhëhequr negocimin. Mënyra se si ai ka ndërmjetësuar ka qenë përtej asaj që është një ndërmjetësim i zakonshëm, ka qenë shumë imponues dhe vizionar në mënyrë se si ka hedhur propozime dhe si e ka parë situatën”.

Ai ka treguar po ashtu se delegacioni serb gjatë negociatave kishte insistuar që serbët në Kosovë të kenë një autonomi politike dhe fetare, por “Ahtisaari ka qenë i prerë që kjo të mos ndodh”.

“Ahtisaari e ka ruajtur karakterin e realitetit të Kosovës, meqë ia ka mundësuar shqiptarëve që ta jetësojnë vullnetin e tyre për një shtet sovran dhe të pavarur edhe ka ofruar zgjidhje për komunitetin serb pa e dëmtuar funksionalitetin e shtetit të Kosovës”, potencoi Hoxhaj.

Hoxhaj për Ahtisaarin: S’lejoi autonomi për serbët e Kosovës – ia mundësoi shqiptarëve ta jetësojnë vullnetin e tyre për një shtet sovran

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore