Lajme

Kurti pret Kamberin, e njofton për qëndrim e Kosovës në takimin në Bruksel


Albin Kurti dhe Shaip Kamberi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim këtë të shtune deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, me të cilin ka biseduar lidhur me rrjedhat aktuale politike.

Siç njofton zyra e kryeministrit, Kurti foli për takimin e kësaj jave të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi – i cili përfundoi pa ndonjë marrëveshje – dhe “qëndrimin e Qeverisë së Kosovës”.

Nga ana tjetër, deputeti Kamberi e njoftoi kreun e ekzekutivit kosovar me zhvillimet e fundit në Luginë të Preshevës.

Foto: ZKM

 

“Ai theksoi se bashkë me deputetët boshnjak të SDA ka iniciuar pesë projektligjeve ndër të cilat ai për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave; për selitë dhe territorin e gjykatave; për ndryshimin e ligjit për përdorimin e simboleve kombëtare;..”, thuhet në njoftim.

“…për ndryshimin e Rregullores së parlamentit ashtu që listat e pakicave të kenë mundësinë e krijimit të grupit parlamentar me tre deputet e jo me pesë siç kërkohet për partitë qendrore, si dhe projektrezolutën për Srebrenicën”.

Kamberi ka theksuar se fatkeqësisht këto iniciativa po pengohen nga kreu i parlamentit të Serbisë duke mos u futur në rend të ditës as edhe për t’u diskutuar.

“Kryeministri e përgëzoi deputetin Kamberi për angazhimin dhe vendosmërinë dhe i ofroi mbështetjen e plotë për afirmimin e pozitës së shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”.

Shqiptarët që jetojnë në Luginë të Preshevës janë të shtypur sistematikisht nga institucionet e Serbisë.

Madje, atyre nuk iu lejohet as përdorimi i flamurit kombëtar.

Së fundmi një nga çështjet që është ngritur edhe në Senatin amerikan është pasivizimi i adresave që Serbia po i bënë shqiptarëve atje, posaçërisht në Medvegjë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore