Lajme

Kurti përkujton Luan Hardinajn: Lavdi veprës së të gjithë dëshmorëve që me jetën e tyre e paguan lirinë e të gjithë neve


Heroi Luan Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar heroin e Kosovës, Luan Haradinaj, në 26 vjetorin e rënies së tij.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook ai tha se ende nuk kishte filluar mirëfilli lufta në Kosovë dhe ende nuk kishte dalur publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës, “kur disa nga djemtë më aktivë të lëvizjes ilegale për lirinë e atdheut, u bënë dëshmorët e parë të UÇK-së”.

“Ndër ta ishte edhe një djalosh luan nga Gllogjani, student i kulturës fizike në Tiranë, me aksione të forta guerile e bartje logjistike për çlirim: Luan Haradinaj!”.

Heroi Luan Haradinaj dhe vellai i tij Ramush Haradinaj

“I treti nga shtatë djemtë e Hilmiut dhe Rukies, bashkë me vëllezërit e tij dhe me shokë veprimtarë, që nga fillimi i tyre, Luani iu bashkua grupeve të armatosura bërthamë që ngritën UÇK-në në Dukagjin”, tha  Kurti.

Ndërsa, kryeministri nënvizoi se ai kishte mbajtur lidhje me grupin e Adem Jasharit dhe Rexhep Selimit në Drenicë ashtu siç kishte koordinuar veprime dhe aksione me grupin e Zahir Pajazitit dhe Ilir Konushevcit në Llap.

Mund të jetë një imazh i 2 persona dhe persona në qitje me pjata

Deri në ditën e rënies, më 6 maj 1997, Luan Haradinaj e kishte kaluar me dhjetëra herë kufirin jugosllav që i mbante të ndarë shqiptarët në Kosovë dhe Shqipëri.

“Atë ditë, ai ishte bashkë me një grup ushtarësh që po hynin në Kosovë, mes të cilëve i vëllai Ramushi, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Ramiz Lladrovci, Ilaz Kodra, Abedin Rexha, Ali Ahmeti, Rafet Rama, Gani Rama e Selim Krasniqi”, shtoi ai.

Ndërkaq, kreu i ekzekutivit pohoi se “kur po kalonin kufirin, ata u pikasën nga patrullat kufitare të ushtrisë serbe në Qafëmullar, duke nisur luftime të ashpra me ta në një terren që ndonëse kodrinor ishte i zhveshur”.

“I patrembur siç ishte treguar që nga fillimi, Luani luftoi përballë forcave armike të Serbisë e në mbrojtje të shokëve, derisa i goditur ballazi ra dëshmor lirie, duke e shenjuar me gjakun e tij rrugën aq të vështirë të atij kufiri të padrejtë që më pas do ta shembnin shokët e tij ushtarë të UÇK-së”.

“Lavdi veprës së Luan Haradinajt dhe të gjithë dëshmorëve që me jetën e tyre e paguan lirinë e të gjithë neve!”, përfundoi ai.

Ndryshe, edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka përkujtuar heroin Luan Hardinaj.

“Pa guximin, frymëzimin dhe sakrificën e Luanit dhe të bashkëluftëtarëve të tij – Kosova si shtet i pavarur do të mbetej përjetësisht vetëm një ëndërr”, tha Krasniqi.

Po ashtu, edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka vlerësuar veprimtarinë patriotike të Luan Haradianjt.

“Nderuam veprimtarin e çështjes kombëtare, Smajl Haradinaj dhe Heroin e Kosovës, Gjeneral Major Luan Haradinaj në përvjetorin e rënies së tij. Nga brezi i luftëtarëve të UÇK-së, Luani ishte ndër të parët që bashkë me trimat e tjerë dhanë gjithçka për lirinë e kësaj toke”, tha Haradinaj gjatë vizitës në varrezat e heronjëve dhe martirëve të Deçanit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore