Lajme

Kurti përkujton heroin Isa Kastrati, në 24 vjetorin e rënies: Lavdi veprës patriotike


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar heroin Isa Kastrati, në 24 vjetorin e rënies së tij.

“Dëshmorin Isa Kastrati më ka rastisur ta njoh personalisht qysh kur isha adoleshent. Ndërkaq, hera e fundit që e kam parë, ishte në një ditë të vranët në selinë e UÇK-së në Prishtinë, kur teksa po dilte jashtë saj, më tha: ‘Erdha me i tregu Bacës Adem që po shkoj në front’”, tha Kurti.

Ndërsa, Kurti tha se heroi Kastrati “ishte nisur të luftonte për çlirimin e Kosovës nga Serbia!”.

“Isa Kastrati e kishte njohur Adem Demaçin fare herët, meqë kishte qenë me grupin e tij të të dënuarve politik me burgim. Isa u dënua dhe u ridënua sërish disa herë, duke mbajtur mbi 10 vite e gjysmë burgim”.

Ndërkaq, kreu i ekzekutivit tha se ai “edhe pas daljes nga burgu, në korrik të vitit 1986, mbahej nën vëzhgim nga Shërbimi Sekret i Serbisë”.

“Pas zhvendosjes në Prishtinë, Isa e ktheu shtëpinë e tij në hapësirë për Gjimnazin ‘Dr. Ali Sokoli’. Gjatë viteve ’90-të, ai qe shumë i angazhuar në aktivitete politike, derisa edhe iu bashkua grupeve të armatosura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas shpërthimit të luftës në Drenicë, Isa organizoi Këshillin e Emergjencës në Prishtinë për pritjen e refugjatëve të zhvendosur brenda Kosovës”, tha ai.

Isa Kastrati u vra në luftime me forcat serbe 24 vite më parë, më 22 prill 1999, në Bullaj të Marecit në Malësinë e Gollakut. Ai ra dëshmor bashkë me Afrim Vitinë dhe Sokol Sopin.

Isa Kastrati - Wikipedia

“Duke kujtuar jetën e këtij aktivisti të lirisë së popullit të tij, pranoni konsideratat e mia më të larta për këtë luftëtar për çlirimin e Kosovës. Lavdi veprës patriotike të dëshmorit Isa Kastrati dhe gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës!”, shtoi Kurti.

Ndryshe, ceremonia e përkujtimit të heroit Isa Kastrati u mbajt në qendrën e Kulturës në qytetin e Kamenicës, e cila e mban emrin e tij.

Kurti nuk ishte i pranishëm, por ai i dërgoi përmes një letre përshëndetjet e tij për të pranishmit që ishin mbledhur për ta përkujtuar Isa Kastratin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore