Lajme

Kurti për “Open Balkan” në Maqedoni: Ne jemi për BE


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, pra asaj të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, është përgjigjur pyetjes së gazetares lidhur me iniciativën “Ballkani i Hapur” duke shtuar se Kosova i mbështetë të gjitha iniciativat rajonale në të cilat pjesëmarrës është Bashkimi Evropian.

“Ne dëshirojmë sa më shumë bashkëpunim dhe marrëveshje dhe zbatim të tyre në aspektin bilateral. Jemi të orientuar kah e ardhmja e për ne e ardhmja është BE, i cili është fati ynë ndërsa Evropa është kontinenti ynë andaj si Kosovë ne mbështesim të gjitha iniciativat rajonale në të cilat e kemi BE-në”, është shprehur Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë konferencës për media pas mbledhjes se dy qeverive ajo në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

Ndërsa Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, duke folur për iniciativën “Ballkani i Hapur”, ka thënë se me homologun e tij kanë mendime të ndryshme sa i përket kësaj iniciative por sipas tij kjo nuk është pengesë për bashkëpunimin e ndërsjellë midis dy vendeve.

“Unë besoj që Ballkani duhet të bëjë dialog, të ketë marrëveshje, vetëm në atë mënyrë ne evropianizohemi dhe përparojmë bashkëpunimin edhe ekonomik edhe të përgjithësim, dhe shkojmë në rrugën drejt BE-së, sepse të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit nuk kanë vend tjetër përveç se të hynë në BE. Dhe të gjitha marrëveshjet bilaterale dhe multilaterale bëhen për një të ardhme më të mirë dhe për të hyrë në BE”.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, gjatë konferencës për media pas mbledhjes së përbashkët në mes të dy qeverive, ajo e Kosovës dhe e Maqedonisë së Veriut

“Bashkërendimi i politikave dhe puna në projektet e përbashkëta që përmison dhe lehtëson jetën e qytetarëve në të dy anët e kufirit konsiderojmë se është obligim i yni politik dhe përgjegjësi e jona institucionale”.

Kur Kurti pyetet se si do të zbatohen këto marrëveshje të nënshkruara nga të dy qeveritë, ai ka thënë se “vullneti i përbashkët i kësaj mbledhje për ne është garancion që ajo që nënshkruhet në letër edhe të zbatohet në realitet”.

“Qeveria e Kosovës e cila i mbush gjashtë muaj prej se është formuar në javën e ardhshme përbëhet nga një kabinet i ministrave të mirë arsimuar, profesionistë, njerëz të ndershëm”, ka thënë Kurti, duke shtuar se zbatimi i këtyre marrëveshjeve është edhe kuptimi i kësaj mbledhje.

“Me vullnetin që kemi me seriozitetin që shfaqim, me profesionalizimin e ekipeve tona jam i bindur që të gjitha këto marrëveshje do të zbatohen. Meqë jemi në fillim të mandatit tonë jam i bindur se nuk do të ketë nevojë për përfundimin e tij që të flasim për mos zbatim por vetëm për të arriturat tona të përbashkëta në secilën prej fushave”, është shprehur ai.

Kryqeveritari Kurti, ka folur edhe për rastin “monstra” gjyqi i të cilit filloi më 20 dhjetor 2012, me akuzën për vrasjen e pesë personave më 12 prill 2012 afër Liqenit të Smillkovës duke treguar se ministrat e drejtësisë të dy qeverive janë në kontakt të drejtpërdrejt.

“E dimë se nga e kaluara trashëgojmë raste tragjike e shumë të rënda të cilët kanë pasur edhe procese të vështira, ka ende raste të cilët për bindjen time nuk janë zbardhur deri në fund për të cilët ende nuk e kemi të vërtetën e plotë”, ka thënë Kurti.

Pamje nga mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore