Lajme

Kurti kujtohet pas 738 ditësh se i duhet hartimi i një strategjie për ta luftuar korrupsionin – do ta prezantojë në fund të këtij viti


Ilustrim

“Qeveria jonë do të dëshmojë përkushtim në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thuhej në programin 49 faqesh të Lëvizjes Vetëvendosje i botuar në shkurt të vitit 2021 ku paraqitej një vizion katërvjeçar mbi të cilin kjo parti do të udhëhiqte vendin në rast se do të korrte fitore në zgjedhjet e 14 shkurtit të po atij viti.

Që nga ajo kohë e deri më sot kanë kaluar plotë dy vjet e Qeverinë e Kosovës e udhëheqë pikërisht Lëvizja Vetëvendosje.

Partia e cila sundimin e ligjit e kishte parim themelor e luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit kompas, iu deshën plot 738 ditë që ta formonte një Komision i cili do të merrej me hartimin e strategjisë kundër korrupsionit.

E gjithë kjo pritje në një farë mënyre do të arsyetohej nëse ky udhërrëfyes, i cili synon ta trasojë rrugën e ekzekutivit në luftën kundër korrupsionit, do të përpilohej brenda një periudhe të shkurtër.

Por, Qeveria e Kosovës luftimin përnjëmend të korrupsionit do ta fillojë tek në vitin e tretë të qeverisjes.

“Ministrat tanë me mbështetje të zyrtarëve dhe ekspertëve të fushës do të hartojnë strategjinë dhe planin e veprimit deri në dhjetor të këtij viti, kurse në Qeveri do e votojmë deri në fund të këtij viti”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën e 22 shkurtit, në mbledhjen e 130 të Qeverisë së Kosovës ndërsa emëronte komisionin ministror që do të punojë për këtë strategji.

“Më mirë vonë, se kurrë”, thotë për Albanian Post, ish-hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Yll Zekaj, kur pyetët se si e ka parë vendimin e Qeverisë së Kosovës për formimin e Komisionit në fjalë.

“Qeveria Kurti ka ardhur në pushtet me idenë e luftimit të korrupsionit ndërsa tek pas dy viteve po fillon hartimin e një strategjie, ky vendim është i vonuar”, thotë fillimisht ai për AP.

Kosovës, sipas Zekajt, asnjëherë nuk i kanë munguar strategjitë e ligjet e mirëfillta, por i ka munguar vullneti politik për implementimin e këtyre strategjive.

Ai merr një shembull edhe nga kjo qeveri, e cila “vitin e kaluar ka aprovuar strategjinë e sundimit të ligjit, përmes së cilës skanohet gjendja në sistemin e drejtësisë, por ende ka probleme në zbatimin e kësaj strategjie”, ilustron ai.

Sipas tij, Qeveria Kurti ka ndërmarrë edhe disa iniciativa që lidhen me luftimin e korrupsionit, siç është draftimi i Projektligjit për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme e atij të Vettingut, por të njëjtat nuk po arrijnë të përfundohen e të zbatohen në praktikë.

“Unë besoj se më e mira e kësaj punë është që të fokusohemi në mekanizmat të cilat i kemi në fuqi sesa të shumëzojmë mekanizma dhe pastaj ato të mbesin prapë të pazbatuara në praktikë”, sugjeron ai.

Kur fjala bie për luftimin e korrupsionit në veçanti, Zekaj, insiston në atë se Kosova ka institucione e mekanizma të mjaftueshme për luftimin e kësaj dukurie.

“Sistemi i Drejtësisë dhe Sistemi Gjyqësor janë të ngarkuara me mekanizma të ndryshme të cilat janë krijuar për luftimin e korrupsionit e që shumë here e kanë dublifikuar punën e njëra tjetrës duke filluar prej Agjencionit Anti-Korrupsion deri te task forcat e ndryshme në Polici, Prokurori”, shpjegon ai.

Arritja më e madhe e Qeverisë së Kosovës kur në pyetje është luftimi i korrupsionit, sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, deri më tani është përmirësimi për 20 vende në raportin e organizatës ndërkombëtare Transparency International. Edhe pse, sipas të njëjtit matës, Qeveria e Kosovës ishte në vend përafërsisht të njëjtë edhe në vitin 2017.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore