Lajme

Kurti intervistë për La Stampa: Për veriun e Kosovës rreziku është transformimi i tij në Transnistri


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurtin, mendon se Serbia dëshiron të jetë “Rusia e vogël në Ballkan”, prandaj kryqeveritari kosovar në një intervistë për median italiane La Stampa, ka theksuar se “për veriun e Kosovës rreziku është transformimi i tij në Transnistri”.

“Mendoj se Serbia dëshiron të jetë Rusia e vogël në Ballkan, ku Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë do të jetë Bjellorusia e vogël, dhe Mali i Zi do të bëhet Ukrainë. Për veriun e Kosovës rreziku është transformimi i tij në Transnistri, si p.sh në Moldavi. Kjo është ajo që ata duan: një pjesë të territorit në Kosovë, por që ata gjithsesi e kontrollojnë për të minuar vendin në tërësi, por edhe Evropën”, tha Kurti.

Madje sipas Kurtit, “Kosova është obsesioni i Putinit”, pasi thotë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç në vitin 1990, kishte si slogan “Serbia e Madhe”, ndërsa tani e ka ndryshuar në “Bota Serbe”, imitim i shprehjes ruse Russkiy Mir.

“Beogradi është regjimi klientelist më i afërt dhe më i fortë me Kremlinin. Serbia dëshiron sërish Serbinë e Madhe, dëshiron Republikën Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë, dëshiron të transformojë Malin e Zi në Ukrainë dhe dëshiron të na e marrë veriun e Kosovës. Kur është fjala për Asociacionin e Komunave nuk bëhet fjalë për të drejtat e serbëve, por për territorializimin e të drejtave. Një mentalitet i ngjashëm me atë të presidentit despotik Putin”.

Kurti ka folur edhe për praninë ruse në Ballkan, meqë ditë më parë kishte deklaruar se në veri të Kosovës ku ishin të vendosura barrikadat ishin parë edhe grupet famëkeqe “Wagner’s” dhe “Ujqërit e Natës”.

Ai kërkoi nga BE-ja të jetë më e qartë dhe më e vendosur dhe të mos jetë neutrale, duke potencuar se “Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse, nuk dënoi agresionin ukrainas dhe Kisha Ortodokse Serbe është në të njëjtën linjë me Kirillin”.

“Prandaj mendoj se BE-ja duhet të jetë e guximshme. T’i thotë të vërtetën Beogradit dhe të veprojë në bazë të rrjedhojave. BE-ja nuk duhet të jetë neutrale ndaj një shteti që nuk është neutral ndaj Rusisë”.

Për Kurtin, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, po e dëshmon se nuk mund të distancohet nga Moska, meqë sipas tij, ka nënshkruar tri marrëveshje me Rusinë.

“Në maj, për gazin me çmimin më të lirë, në shtator, me marrëveshjen midis ish-ministrit të Punëve të Jashtme Selakoviç dhe ministrit rus Lavrov në Nju Jork për të sinkronizuar politikën e jashtme. Së fundmi, politikani serb më pro-rus, Aleksandar Vulin, ish-nënkryetar i partisë së udhëhequr nga gruaja e Millosheviçit, Mira Markoviç, tani është shefi i inteligjencës së Serbisë. Ka nga ata që nuk duan të shohin, kjo është shumë e qartë për mua”.

Kur është pyetur për rrezikun që i kanoset Kosovës nga Serbia, ai ka treguar që Beogradi ka ndërtuar 48 baza operative të cilat janë të vendosura rreth kufirit të Kosovës nga ana e ushtrisë serbe dhe xhandarmërisë, më pak se 5 kilometra larg Kosovës.

“Aty qarkullojnë Night Wolves rusë (banda me motoçiklistë shumë afër Putinit shën. red.), dhe gjithashtu mercenarë dhe paraushtarakë Wagner. Ka foto me stemat e tyre. Ata ishin të pranishëm edhe në barrikadat në veri. Ato 16 barrikada ishin barrikada të Wagnerit”, shtoi ai.

“Kufiri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është bërë kufiri midis NATO-s dhe Rusisë. Mendoj se nevojitet më shumë mbështetje nga NATO me më shumë ushtarë, përfshirë edhe italianë, në Kosovë dhe mbështetje për ushtrinë tonë”.

Ndonëse i dërguari i SHBA-së në Prishtinë, Derek Chollet, ia ka tërhequr vëmendjen, duke i kërkuar formimin e Asociacionit, kryeqeveritari kosovar ka theksuar se “një asociacion etnik i komunave bie ndesh me frymën e Kushtetutës sonë”.

“Mendoj se Kosova garanton nivelin më të lartë të të drejtave të pakicave. Sidomos për minoritetin serb. Shteti ynë është i përbërë nga 93% shqiptarë, gati 5% serbë, pjesa tjetër janë boshnjakë, romë, ashkali, egjiptianë, turq dhe goranë. Ne zbatojmë në mënyrë të njëanshme parimet e Kushtetutës sonë të shkruara nga ish-presidenti finlandez Martti Ahtisaari në periudhën para Shpalljes së Pavarësisë. Bëhet fjalë për standardet më të larta evropiane”.

Kurti e ka akuzuar Serbinë se nuk është e interesuar për marrëveshjen finale dhe mos distancim nga e kaluara dhe e tashmja.

“Nuk mund ta kompensoj Serbinë për humbjen e luftës në 1999. Në realitet, ajo që duhet është që Serbia të njohë krimet e saj në historinë e saj të vonë, të distancohet nga e kaluara e saj, Millosheviqi, dhe nga e tashmja e saj, Putini. Për sa më takon, si kryeministër, unë jam këtu për nevojat e qytetarëve serbë. Kosova duhet të jetë një shoqëri multietnike dhe sovrane. Mendoj se është koha për të gjetur një dialog me Serbinë. Por nga propozimet e BE-së, të refuzuara nga Beogradi më 27 tetorin e kaluar, ata duan të nxjerrin vetëm atë që i përshtatet”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore