Lajme

Kurti flet me Borrelin për çështjen e referendumit të Serbisë: Në territorin sovran të një shteti tjetër s’është praktikë e pranuar


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka biseduar me telefon me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell për mundësinë e mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovës.

“Në një telefonatë me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, ia përcolla qëndrimin tonë: Serbët në Kosovë të cilët kanë shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në refereundimin e Serbisë nëpërmjet postës apo në Zyrën ndërlidhëse në Prishtinë. Një referendum në territorin sovran të një shteti tjetër nuk është praktikë e pranuar në asnjë vend demokratik”, ka shkruar Kurti në Twitter.

E ashtuquajtura “Zyra për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë ka njoftuar se ka kërkuar nga ambasadorët e Quint-it, të Brukselit, si dhe nga përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian (BE), Miroslav Lajçak, i cili është ndërmjetësues në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, që të mundësojnë referendumin për ndryshime kushtetuese në Serbi të 16 janarit, të mbahet edhe në Republikën e Kosovës.

Kjo zyrë përmes një komunikate ka thënë se ua ka dërguar kërkesën diplomatëve për shkak se Prishtina nuk ka dhënë dritën “jeshile” për zhvillimin e procesit të referendumit edhe në territorin e Kosovës.

Ajo po ashtu ka deklaruar se me rastin e referendumit, më 16 janar, i ka dërguar kërkesë me kohë Misionit të OSBE-së në Kosovë që “në mënyrë operative të zhvillohet procesi i votimit në terren, gjegjësisht votimin në referendum të qytetarëve të Serbisë”, përcjell mediumi serb Danas.

Sipas tyre thuhet se janë të “informuar nga OSBE-ja se ky mision ndërkombëtar më 22 dhjetor, në përputhje me mandatin e besuar, është e gatshme të organizojë një referendum në Kosovë, si më parë”, por se sipas tyre autoritetet e Prishtinës “nuk ka dhënë dritën jeshile për mbajtjen e referendumit”, thuhet në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore