Lajme

Kryeministri Kurti: Me qeverisjen tonë mbaron epoka ku dominonte parulla, “Rroga e vogël, fitimi i madh”


Duke e përmendur miratimin e koncept-dokumentit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se “me qeverisjen e tij, do t’i jepet fund epokës ku dominonte parulla, “Rroga e vogël, fitimi i madh”.

Kështu ka bërë të ditur Kurti, përmes një video-mesazhi në Facebook, ku ka theksuar se në Kosovë, për më shumë se dy dekada, “në masë të madhe ka sunduar paligjshmëria, herë në mungesë të ligjeve e më shumë në mungesë të zbatimit të tyre”.

Kurti tha se ligji do t’i hapë rrugë themelimit të një agjencie të re prokuroriale të pavarur, e cila do ta konfiskonte pasurinë e paligjshme e të pajustifikueshme.

Këtë e ka deklaruar duke paralajmëruar ata që dikur “kishin duart në buxhetin e shtetit” e që “nuk iu mjaftonin pagat e privilegjet”.

“Kjo nuk është e drejtë dhe as e ndershme, prandaj edhe duhet të veprojmë që të krijojmë një shtet ku secili merr fitimin që meriton dhe paguan detyrimin që i takon”, u shpreh Kurti.

Ai tutje ka shtuar se “zbrazëtira ligjore dhe jo-efikasiteti i organeve të drejtësisë ka krijuar hapësirë për rritje të kriminalitetit dhe një kulture të pandëshkueshmërisë ku ata që kanë pasur qasje në buxhetin e shtetit e kanë keqpërdorur atë për të përfituar personalisht”.

Po ashtu, Kurti ka sqaruar se koncept-dokumenti që është miratuar të martën, tashmë ka kaluar në procesin e rregullt konsultues.

“Koncept-dokumenti tani do të vazhdojë në procedurë të rregullt, me debate e me konsultime shteruese në mënyrë që t’i heqim të gjitha dilemat dhe të marrim të gjitha garancitë se ligji i ri nuk do të cenojë pronën private dhe liritë elementare”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, çdo diskutim nuk e ndryshon synimin e qëllimin e krijimit të mundësisë së konfiskimit të pasurisë së paligjshme në rrugë civile, sepse “ajo që është e pashpjegueshme, e paarsyetueshme, e pajustifikueshme nuk mund të jetë e ligjshme”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore