Lajme

Kreu i ri i kapelanëve në Universitetin e Harvard-it, një ateist


I themeluar me misionin për të edukuar klerikë në mënyrë që t’u shërbenin kolonistëve të hershëm puritanë të New England, Universiteti i Harvard-it u bë me një kryekapelan të ri të quajtur Greg Epstein dhe ai është ateist.

Agjencia e lajmeve, “The Guardian”, tregon se Epstein, autor i librit “Mirë pa Zot: Çfarë besojnë një miliard njerëz jofetarë”, ka qenë kapelan humanist i universitetit që nga viti 2005 para se të zgjidhej njëzëri nga kapelanët e tjerë të kampusit si kryekapelan i universitetit.

I rritur në një familje hebrenjsh, 44-vjeçari është përshkruar si një “kumbar i lëvizjes humaniste”, një filozofi laike, e bazuar në vlera që përqendrohet në marrëdhëniet e njerëzve me njëri-tjetrin në vend të Zotit.

Si kapelan i ri kryesor i Universitetit të Harvard-it, Epstein do të koordinojë aktivitetet e mbi 40 kapelanëve nga më shumë se 20 tradita të ndryshme fetare, shpirtërore dhe etike.

“Unë dua të mbështes studentët dhe komunitetin universitar së bashku rreth faktit se ka qenë një kohë jashtëzakonisht e vështirë dhe pothuajse çdokush mund të pritet të ketë humbur pak besim tek njerëzimi vitet e fundit”, ka thënë ai.

“Ne kemi shumë gjëra që na ndajnë nga ana teologjike, por ne kemi një sasi të madhe të përbashkët kur bëhet fjalë për dëshirat tona të përbashkëta…për të mbështetur qeniet njerëzore në komunitetin tonë teksa përpiqen të jetojnë një jetë me kuptim dhe qëllim në një botë që ndonjëherë mund të na kërcënojë për të na grabitur ato shqisa, pavarësisht nga bindjet tona”, ka shtuar  ai.

Sipas “The Guardian”, prioriteti tjetër i Epstein është të sigurojë që ai dhe kolegët e tij t’u shërbejnë komuniteteve më të margjinalizuara të universitetit.

“Unë dua të jem një forcë pozitive…kundër vizionit të Harvard-it që kanë disa njerëz si një institucion privilegji dhe prestigji mbi drejtësinë dhe barazinë. Ne duam që ata të ndiejnë, pavarësisht nga bindjet e tyre…se Harvard-i është i barabartë për ta dhe se një botë më e mirë që ne të gjithë po përpiqemi të ndërtojmë në Harvard përfshin drejtësi dhe barazi për ta”, ka theksuar ai.

Megjithëse emërimi i një ateisti si president i kapelanëve të universitetit mund të duket jo me vend, shumë studentë të universitetit kanë dëshmuar për ndikimin që ai ka pasur te ata.

“Udhëheqja e Greg-ut nuk ka të bëjë me teologjinë”, ka thënë Charlotte Nickerson, një studente 20-vjeçare e inxhinierisë elektrike. “Bëhet fjalë për bashkëpunimin midis njerëzve të besimeve të ndryshme dhe bashkimin e njerëzve që normalisht nuk do ta konsideronin veten fetarë”, ka shtuar ajo.

Edhe Adelle Goldenberg, një studente 22-vjeçare e rritur në komunitetin Hasidic të Brooklyn, e cila dëshironte të gjente njerëz që luftonin me çështje përtej arritjeve akademike, ka gjetur ngushëllim në mentorimin e Epstein-it.

Teksa shumë të rinj gjithnjë e më shumë identifikohen si shpirtërorë dhe jo të lidhur me fenë, Epstein promovon lidhjen njerëzore.

“Ajo që është më e rëndësishme për mua janë marrëdhëniet njerëzore…unë dua të frymëzoj njerëzit jofetarë dhe fetarë që të arrijnë njëri-tjetrin sepse ne kemi nevojë për njëri-tjetrin”, ka shpjeguar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore