Lajme

Krasniqi ia shpreh “rezervat” për planin evropian edhe shefes së UNMIK-ut


Memli Krasniqi dhe Caroline Ziadeh

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, të martën ka takuar shefen e UNMIK-ut në Kosovë, Caroline Ziadeh, të cilës ia ka shprehur rezervat lidhur me procesin e dialogut Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Krasniqi përmes një postimi në Facebook, tha se marrëveshja e bazuar në planin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është e pamjaftueshme dhe mundësi e humbur për një marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e ndërkombëtarisht të obligueshme.

Ai shtoi se kjo marrëveshje është mundësi e humbur për Kosovën dhe sipas tij, neglizhenca e kryeministrit Albin Kurti dhe mungesa e koordinimit me partnerët ndërkombëtarë, janë aryset kryesore që aktualisht qëndron një marrëveshje që nuk realizon qëllimet shtetërore të Kosovës.

“Sot, për fat të keq, kemi përpara një transformim të marrëveshjes së paralajmëruar dhe kërkuar nga ne dhe partnerët ndërkombëtarë për vite me radhë, nga një marrëveshje finale me njohjen e ndërsjellë në qendër, në marrëveshje të përkohshme me asociacionin në qendër”, shkroi Krasniqi.

Kujtojmë se ky qëndrim kishte shqetësuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilët në një përgjigje me shkrim për mediat në Prishinë, patën deklaruar se qëndrimet e partive më të mëdha opozitare në vend nuk përputhen me qëndrimet amerikane.

“Jemi të shqetësuar me deklaratat e bëra nga drejtues dhe zyrtarë të partive opozitare që shprehin kundërshtimin e tyre ndaj propozimit të BE-së”, tha një zëdhënëse e ambasadës amerikane në Prishtinë. “Këto pikëpamje nuk përputhen me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për propozimin”.

Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë proces negociator mbi bazën e 11 pikave të atij që quhet tash zyrtarisht “Marrëveshja për rrugën e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”. Po ashtu, u arrit një dakordim që të vazhdohet me diplomaci fluturuese të diplomatit sllovak në Prishtinë dhe Beograd.

Ndryshe, plani evropian parasheh mes tjerash përmbushjen e marrëveshjeve të deritashme, përfshirë edhe atë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe që është pjesa më problematike aktualisht në dialogun Kosovë – Serbi të lehtësuar nga BE-ja.

SHBA-të nga ana tjetër, deklaruan se marrëveshja mbi udhërrëfyesin e zbatimit të planit evropian është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, ndërsa përparimi drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, thelbësor për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës.

Emisari Speical i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, takoi kryeministrin Kurti dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç, për të shqyrtuar Aneks-dokumentin e zbatimit të Propozim-Marrëveshjes që në fund duhet të përbëjnë një dokument të njësuar. Dhe për të gjitha këto do të ketë nevojë për një takim të ri të liderëve, më 18 mars në Ohër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore