Lajme

KQZ-ja kërkon mbështetjen e Policisë së Kosovës për zgjedhjet në pjesën veriore


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) kanë kërkuar mbështetje nga Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës dhe nga Ministria e Arsimit, për çështje të sigurisë në organizimin e zgjedhjeve në katër komunat e pjesës veriore të Kosovës.

Në mbledhjen e së shtunës u bë e ditur se KQZ-ja ende nuk ka qasje në zyrat e Zyrtarëve të Lartë Komunal të Zgjedhjeve në komunat veriore pas dorëheqjeve të përfaqësuesve serbë.

“Aktualisht ne nuk kemi qasje në këto zyre gjë që e vështirëson themelimin dhe funksionimin e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve”, theksoi kryeshefi i sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj.

“Në këtë fazë është më se e nevojshme përkrahja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e cila ka për detyrë organizimin e zgjedhjeve, mirëpo organet e tjera relevante duhet të japin përkrahje në procesin zgjedhor”, shtoi ai.

Edhe anëtari i KQZ-së, Ilir Gashi, theksoi se për çështjet e sigurisë duhet të kujdeset Policia e Kosovës.

“Ne si institucion natyrisht jemi përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve por sigurinë dhe mbarëvajtjen e procesit nuk e garantojmë ne. Janë institucione të tjera relevante që i krijojnë kushtet për një proces të sigurt dhe demokratik”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Sami Hamiti rikujtoi se ekziston një memorandum i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të ndryshme, përfshirë edhe Policinë e Kosovës, ku janë të specifikuara përgjegjësitë e secilit institucion.

KQZ gjatë ditës njoftoi se ka filluar periudha e aplikimit për regjistrim për votim jashtë Kosovës për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat veriore të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Sipas KQZ-së, afati i aplikimit për këtë periudhë do të përfundojë më 30 nëntor 2022.

“Gjatë kësaj periudhe, shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë Republikës mund të aplikojnë për regjistrim për të votuar përmes postës për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në këto katër komuna. Gjithashtu, edhe ata/ato që nuk kanë shtetësinë e Republikës, por që kanë të drejtë të jenë shtetas të Kosovës, sipas Ligjit për Shtetësi, mund të aplikojnë”, thuhet në njoftim.

Një ditë më parë KQZ, kishte bërë të ditur se janë gjashtë subjekte politike, të cilat kanë paraqitur aplikimet e tyre për pjesëmarrje në zgjedhjet për kryetar të katër komunave në Veri, të cilat do të mbahen me 18 dhjetor.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media kishte treguar partitë politike të cilat do të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë.

“Iniciativa qytetare Mitrovica ka aplikuar për certifikim me kandidatin e saj në zgjedhjet për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut. Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar emrat e katër kandidatëve për certifikim për zgjedhjet e katër komunave. Partia e Serbëve të Kosovës (Partia Kosovskih Srba) ka aplikuar për certifikim me kandidatin e saj në zgjedhjet për kryetar të Komunës së Leposaviqit”.

Sipas afateve të miratuara nga KQZ-ja, procesi i vendimmarrjes për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve do të zhvillohet deri më 28 nëntor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore