Lajme

KPK – Ambasadës Britanike: Kemi njoftuar të gjithë partnerët ndërkombëtarë për konkursin për Kryeprokuror


Këshilli Prokurorial i Kosovës përmes një njoftimi për media ka njoftuar se i ka njoftuar me kohë të gjithë partnerët ndërkombëtarë dhe vendorë me agjendën e takimit të 208 të saj, ku ishte caktuar si pikë e rendit të ditës propozimi për shpalljen e konkursit për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Shtetit, duke demantuar Ambasadn e Britanisë së Madhe, pasi janë shprehur të befasuar me vendimin e marrë nga KPK-ja.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës, ashtu siç ka marrë vendim për shpalljen e konkursit, duke u bazuar në afatet ligjore, do të vazhdojë të gjitha procedurat deri në zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri, duke respektuar ligjet dhe aktet e tjera nënligjore që rregullojnë këtë process”, thuhet në njoftimin e KPK-së.

“Po ashtu, Këshilli Prokurorial i Kosovës, sikurse në proceset e tjera, edhe në këtë proces do të ftojë partnerët ndërkombëtarë për monitorim, me qëllim që të jetë sa më transparente zgjedhja e Kryeprokurorit të ri të Republikës së Kosovës”.

Sipas njoftimit, Këshilli Prokurorial i Kosovës vlerëson lart mbështetjen e vazhdueshme që po japin partnerët ndërkombëtarë, “andaj edhe do të vazhdojë të bashkëpunojë për të gjitha proceset e sistemin prokurorial të Kosovës, me qëllim të fuqizimit dhe ngritjes së vazhdueshme të efikasitetit të këtij sistemi”.

Ndwrkaq në reagimin e Ambasadës, thuhet se ata kishin ofruar mbështetje për rekrutimin e Kryeprokurorit të Shtetit.

“Ambasada Britanike ka vite që mbështet Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK). Së fundmi, kemi ofruar mbështetje edhe për rekrutimin e pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit. Përderisa ne ishim duke pritur përgjigje nga KPK, vendimi i djeshëm për ta shpallur pozitën pa mbështetjen tonë, ishte befasues”, thuhet në komunikatën e Ambasadës Britanike.

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), në takimin e parë të mbajtur më 11 janar të vitit 2022, ka marrë vendim që të shpallë konkurs për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Kjo për arsyeje se Aleksandër Lumezit, i cili aktualisht ushtron këtë pozitë, i përfundon mandati më 21 prill të vitit 2022.

Konkursi për këtë pozitë do të jetë i hapur 15 ditë pas shpalljes së tij, duke filluar nga data 17 janar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore