Lajme

Kosovë: Nga java e ardhshme qytetarët mund të zgjedhin për vaksinën


Ilustrim

Ministria e Shëndetësisë (MSH) ka njoftuar se nga java e ardhshme qytetarët mund të zgjedhin se cilën lloj të vaksinës kundër Coronavirusit do të marrin, Pfizer apo AstraZeneca.

MSH njofton se ka vaksina të mjaftueshme, duke lutur qytetarët që të caktojnë terminin për vaksinim.

“Ministria e Shëndetësisë inkurajon qytetarët e vendit që të aplikojnë për marrje të vaksinës kundër COVID-19. Duke qenë që stoku aktual me vaksina kundër COVID-19 është i qëndrueshëm, Komiteti për imunizim kundër COVID-19 vendosi që duke filluar nga java e ardhshme qytetarëve t’u ofrohet mundësia që të përcaktohen për llojin e vaksinës që do ta marrin (në konsultim me mjekun e ekipit të vaksinimit), për aq kohë sa ekziston kjo mundësi”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim thuhet se ”qytetarëve u bëhet thirrje që t’i qasen platformës e-Kosova për caktim të terminëve për vaksinim kundër COVID-19″.

Ndërsa, në një përgjigje për Albanian Post, Ministria e Shëndetësisë ka thënë se që nga fillimi doza të para të vaksinave janë dhënë në Kosovë si të AstraZeneca ashtu edhe të Pfizer.

“Ka pasur periudha kur është dhënë vetëm AstraZeneca, sikur që ka pasur periudha kur është dhënë dhe vetëm Pfizer, varësisht se cilat kanë qenë në dispozicion”, ka thënë Ministria e Shëndetësisë.

Po ashtu MSH-ja ka theksuar se “Ketë javë për doza të para janë administruar vaksinat AstraZeneca, ndërsa dozat e dyta merren edhe AstraZeneca edhe Pfizer, varësisht se çfarë e ka marrë dozën e parë, të njëjtën e merr zakonisht edhe dozën e dytë”.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, “dozat e vaksinave kanë afat të mjaftueshëm”.

Të shtunën, më 3 korrik, Kosova pranoi mbi 182 mijë doza të vaksinës së AstraZenecas, që ishin donacion nga shteti i Norvegjisë.

Vaksinimi në masë për qytetarët e Kosovës kundër COVID-19, ka nisur më 15 qershor. Brenda një ditë jepen mbi një mijë doza të vaksinës kundër COVID-19.

Në 24 orët e fundit janë dhënë 5 mijë e 438 doza të vaksinës kundër COVID-19.

Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 250 mijë e 658 doza të vaksinës.

Deri më të premten 63 mijë e 301 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore