Lajme

Kosovë: Miratohet Projektligji për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit


Kuvendi i Kosovës

Është miratuar Projektligji për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit me 71 vota për, në Kuvendin e Kosovës.

Në seancën plenare në Kuvendin e Kosovës, Ministrja e Drejtësisë në Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se qëllimi i këtij projektligji është qartësimi i fushëveprimit të agjencisë.

“Qëllimi i projektligjit është qartësimi i fushëveprimit të agjencisë aktuale kundër korrupsionit si organ i pavarur dhe i specializuar për parandalimin e korrupsionit. Përveç mandatit parandalues të këtij projektligji, rregullohen edhe procedurat lidhur me zbatimin për parandalimin e konfliktit të interesit”, është shprehur Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë në Kosovës, Albulena Haxhiu

Po ashtu, është miratuar edhe Projektligji për të Drejtat Pronësore të shtetasve të huaj me 77 vota pro në Kuvendin e Kosovës.

Për miratimin e këtij projektligji nuk kishte asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka thënë se ky projektligj është nisur nga Qeverisja e PDK-së, teksa shtoi se e mbështesin si të tillë.

“Ky projektligj është ndër projektligjet që janë nisur nga qeverisja e PDK dhe për fatkeq kjo Qeveri asnjëherë nuk e ka ndryshuar pikë e as presje. Të njëjtin e kemi përkrahur dhe do ta përkrahim edhe sot”, tha ajo.

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu

Pro këtij projektligji është shprehur edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kuvendi i Kosovës ka formuar edhe Komisionin Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për tetë anëtarë nga komuniteti shqiptarë dhe një anëtar nga komuniteti serb në Bordin e RTK-së, i cili do të drejtohet nga deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.

Në këtë Komision, LVV do t’i ketë pesë përfaqësues për këtë Komision, Armend Muja, nënkryetar, anëtare Doarsa Kica, Saranda Bogujevci, Ardian Gola dhe Fitim Uka.

Ndërsa, dy anëtarë të Komisioni do të jenë nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku dhe Blerta Deliu.

Në seancën plenare i pranishëm ishte edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili sa i përket vendimit të vendosjes së tabelave të përkohshme “RKS” për të gjithë ata që hyjnë në Kosovë me tabela tjera nga Serbia, ka thënë se këto veprime nuk kanë për qëllim të cenojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve serbë, apo të provokojnë ndonjë destabilizim.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

“Ju siguroj se veprimet e ndërmarra sot nga organet kompetente për zbatimin e kësaj nuk janë drejtuar kundër qytetarëve serbë, nuk kanë për qëllim të cenojnë lëvizjen e lirë qytetarëve serbë, apo të provokojnë çfarë do destabilizimi”, është shprehur ai.

Madje, ai ka thënë se vendosja e targave të Kosovës për të gjitha automjetet me tabela të Serbisë, “nuk ka qenë dëshirë e jona, por imponim nga pala tjetër”, duke iu referuar Serbisë.

Në anën tjetër, Kurti ka dhënë detaje edhe për diskutimet rreth ndërtimit të infrastrukturës në Kosovë për gazin amerikan, i cili parashihet të vjen nga Greqia përmes Maqedonisë së Veriut.

Sipas Kurtit, lidhur me këto vendime duhet kujdes dhe analizë e të gjitha rrethanave. Madje, ai ka theksuar se nuk ka asnjë vonesë lidhur me këtë çështje dhe se nuk rrezikohet asnjë fond.

“Kur flasim për ndërtim të infrastrukturës në bashkëpunimin me MCC-në, nuk flasim thjesht për gaz amerikan, por për ndërtim të infrastrukturës. Mund të jetë amerikan, por s’është e thënë”, ka thënë ai.

“Sa i përket ndërtimit të gazsjellësit përmes Serbisë aty nuk ka asgjë të vërtetë. Fondet nuk do të rrezikohen, më shumë rrezikojmë nëse marrim vendime pa analiza dhe studim të mirëfilltë paraprak”, shtoi Kurti.

Ndërkaq, sa i përket menaxhimit të pandemisë COVID-19 në Kosovë, Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, i ka kërkuar kryeministrit Kurti ta shkarkojë ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj

Sipas Zemajt, ministri Vitia i ka ikur përgjegjësisë dhe është treguar skandaloz në menaxhimin e pandemisë COVID 19.

“Njerëzit e papërgjegjshëm nuk mund ta pranojnë përgjegjësinë, ky ministër i shëndetësisë u tregua shumë i papërgjegjshëm. E gabimi kushton, këtë gabim do të duhej ta merrte për bazë edhe vetë kryeministri me shkarkimin e këtij ministri të shëndetësisë që u tregua skandaloz në rajon dhe mbarë Evropën”, është shprehur Zemaj.

Kritika ndaj Qeverisë Kurti për keq menaxhim të pandemisë, ka drejtuar edhe Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi

Krasniqi ka thënë se Kurti refuzoi bashkëpunimin me partitë opozitare.

“I ofrova bashkëpunim Kurtit për gjendjen e rënduar. Por pashë një refuzim. Nuk kishte as vëmendje, as përgjigje, as iniciativë. Keq-menaxhimi i Qeverisë për gjendjen e rënduar që kaluam, keqadministrim i kësaj Qeverie që jemi gati të fundit në vaksinim. Qeveria i hapi dasmat e ahengjet për të na mbyllur shkollat e çerdhet”, deklaroi Krasniqi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore