Lajme

Kosovë: Haradinaj fton qytetarët në protestë


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, u ka bërë ftesë qytetarëve që të dalin dhe të protestojnë kundër taksës prej pesë euro për regjistrimin e veturave.

Që nga një shtatori qytetarëve të Kosovës do t’iu shtohet një kosto shtesë financiare me rastin e regjistrimit të automjeteve.

Prandaj ndaj këtij vendimi ka reaguar Haradinaj, i cili përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se me këtë vendim të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, përfiton një biznes privat dhe individët e lidhur me të, “duke zbrazur xhepat e qytetarëve me afro 2 milionë euro në vit”, të cilat sipas Haradinajt nuk i shkojnë buxhetit të shtetit.

“U protestua për pesë euro taksë për shfrytëzim të Rrugës së Kombit, ndërsa tani, pa asnjë arsye iu merren pesë euro për secilin automjet! Protestoni për të drejtat tuaja”, ka shkruar Haradinaj.

Qytetarët do të detyrohen të paguajnë nga 4,90 euro shtesë për tiketën ngjitëse.

Kjo vjen pas nënshkrimit të marrëveshjes për ofrimin e tiketës ngjitëse me qëllim të konfirmimit të kontrollimit teknik të automjeteve nga Ministria e Infrastrukturës dhe kompania “Auto Control Kosova”.

Zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka thënë se këto do të ndihmojnë për anëtarësim në kartonin e gjelbër.

“Çdokush që e regjistron automjetin e tij, është i obliguar të pajiset me tiketë ngjitëse fillimish,t të paguajë një taksë prej 4,90 euro euro. Por qytetarët duhet ta dinë se me këtë mund ta kenë një ngarkesë financiare në momentin fillestar, por shumë shpejt do lirohen nga një taksë tjetër”, ka thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore