Lajme

Kosovë: Diagnostikohet rasti i parë me ethe të minjve


Ilustrim, Klinika Infektive në Prishtinë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHP), ka njoftuar se në laboratorët e mikrobiologjisë është diagnostikuar rasti i parë për këtë vit me ethe të minjve.

Një tetë vjeçare është infektuar nga ethet e minjve, në bjeshkët e komunës së Deçanit. Këtë për Albanian Post e ka konfirmuar edhe Drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj, i cili ka thënë se “gjendja e fëmijës është stabile por edhe më tutje është e rëndë”.

Sipas tij, “infeksioni ka ardhur si pasojë e kontakteve me zonat e kontaminuara me sekrecione të brejtësve”.

Në anën tjetër, Vishaj ka treguar se ky nuk është rasti i parë që është paraqitur kohës së fundit në klinikën infektive.

“Në ditët e fundit kemi pasur edhe dy raste të tjera me infektim por që të dy rastet kanë përfunduar mirë”, ka thënë ai.

Gjatë ditës IKSHP-ja ka apeluar për kujdes gjatë konsumimit të frutave malore për shkak të rrezikut për infektim nga ethet e minjve, që mund të jenë vdekjeprurëse. Sipas tyre, në Kosovë më së shumti rrezik ka në rajonin e Dukagjinit, rajonin e Karadakut dhe në atë të Shalës.

“Burim i infeksionit janë minjtë. Sëmundja përhapet me ushqim, me aerosolë dhe me kontakt. Rastet me ethe hemorragjike me sindromën renale sporadike janë të palidhura mes vete dhe nuk ka ndonjë shpërthim epidemik mes tyre, por pakujdesia gjatë ruajtjes së ushqimit dhe konsumimi i manave të palara mund të shkaktojnë sëmundje vdekjeprurëse”, thuhet në njoftimin e IKSHP-së.

Siç thuhet në njoftim, në organizmin e njeriut shkaktari hyn përmes tri portave hyrëse: trakti respirator, trakti tretës dhe përmes lëkurës.

Instituti thotë se “trajtimi i sëmundjes bëhet me sukses të plotë në Klinikën Infektive në qoftë se paraqiten me kohë. Po qe se të sëmurët kërkojnë ndihmë me vonesë paraqiten komplikime, e që mund të bllokohen veshkat”.

Njëra nga masat parandaluese sipas IKSHP-së është pengimi i futjes së brejtësve në shtëpi dhe stane.

“Ruajtja e ushqimit nga ekskretet e brejtësve, përpunimi termik i artikujve ushqimor të dyshimtë, frytet e pyllit mos të konsumohen pa u pastruar, djathit të freskët t’i shtohet kripë dhe mos tē konsumohet si i freskët nëse dyshohet se është kontaminuar, larja e duarve me ujë dhe sapun te kosarët dhe punëtorët tjerë të fushës para ngrënies, të bëhet klorimi i ujit të pijes, dezinfektimi i sipërfaqeve të kontaminuara nga ekskretet e brejtësve”, thuhet në njoftim.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore