Lajme

Kosovë: Arrestohet i dyshuari për vjedhje në banesën e Dragica Gasiç


Dragica Gasiç, në banesën e saj në Gjakovë

Policia e Kosovës, mbrëmjen e ditës së premte ka arrestuar një të dyshuar për kryerjen e veprës penale vjedhje në banesën e serbes, Dragica Gasiç, e cila ishte kthyer nga Serbia për të jetuar në banesën që thotë se është e saj në Komunën e Gjakovës.

Vjedhja kishte ndodhur katër ditë më parë, me 25 korrik të këtij viti, por i dyshuari është arrestuar gjatë të premtes, fal kamerave të sigurisë.

Këtë për Albanian Post e ka konfirmuar Drejtori i Policisë Rajonale të Komunës së Gjakovës, Lumni Graishta.

“I dyshuari është arrestuar mbrëmë megjithëse ka qenë i identifikuar nga kamerat e sigurisë qysh në ditën e parë pas kryerjes së veprës penale vjedhje mirëpo i njëjtë ka qenë jashtë shtetit, edhe në momentin që është Kthyer në Kosovë, Policia e Gjakovës e ka arrestuar”.

Sipas drejtorit Graishta, i dyshuari ka pranuar kryerjen e veprës në prani të avokatit të tij dhe me urdhër të prokurorit është ndaluar për 48 orë.

Ai ka treguar për Albanian Post se janë gjetur të gjitha provat që e lidhin të dyshuarin me veprën penale vjedhje.

“I dyshuari nga banesa e Gasiç, ka vjedhur, disa gjëra ushqimore, disa rroba dhe një kamerë”, ka thënë Graishta për AP.

Policia, tani për tani, nuk jep detaje të tjera rreth këtij rasti.

Dragica Gashiç, më 6 qershor të këtij viti, është kthyer në Gjakovë në banesën që pretendon që është e saj, si personi i parë nga komuniteti serb që është kthyer në këtë qytet, pas luftës së vitit 1999.

Kthimi i saj kishte ngjallur shumë reagime,  Nysrete Kumnova nga shoqata e cila merret me procesin e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur gjatë luftës së fundit në Kosovë “Thirrjet e Nënave”, kishte deklaruar se nuk do të lejojnë serbët të kthehen në Gjakovë.

Ndërsa Gashiç kishte deklaruar se ajo ndihet keq për faktin se është e padëshirueshme në Gjakovë, duke nënvizuar se ajo sulmohet gati çdo ditë nga bashkëqytetarët e saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore