Lajme

“Kosova s’mund të jetë imune ndaj krizës mjedisore”


Kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në konferencën dhe ekspozitën e nëntë të përbashkët ballkanike për vlerën e ujit, ka deklaruar se Kosova nuk mund të jetë imune ndaj krizës mjedisore.

“Vendi ynë nuk mund të jetë imun ndaj krizës mjedisore, prandaj është e domosdoshme, që t’i mbrojmë dhe t’u sigurojmë menaxhimin e mirë burimeve tona ujore, të ndërtojmë akumulime të reja dhe të sigurojmë ujë për zhvillim ekonomik për brezat e ardhshëm”, deklaroi Kurti.

Ndërsa, për projektet që janë realizuar në të kaluarën, Kurti tha se janë ndërtuar dhjetëra hidrocentrale të vogla pa planifikim dhe llogaritje të mirëfilltë, të cilat kanë përkeqësuar gjendjen e ujërave në vend.

“Nevojitet një rishikim i thellë i qasjes sonë ndaj shfrytëzimit të ujit, ajrit, pyjeve, mjedisit e burimeve tona, me një rimendim të hapësirës publike duke u bazuar në parim të drejtësisë sociale dhe jetës së dinjitetshme, tha kryeministri, duke potencuar domosdoshmërinë për studim, planifikim e investim”.

Po ashtu, theksoi se ndaj keqpërdoruesve të resurseve ujore dhe zaptuesve të burimeve ujore nuk do të ketë kompromis.

“Në Republikën tonë janë shtatë Kompani Rajonale të Ujësjellësve (KRU), që menaxhojnë dhe shpërndajnë ujin për qytetarët. Qasja në ujësjellës publik, të menaxhuara nga Kompanitë Rajonale të Ujësjellësve deri në fund të vitit 2022 do ta arrijë shifrën 83%, nga 79% sa është aktualisht”.

Hidrocentralet në Kosovë.

“Qasja në ujësjellës publik, të menaxhuara nga Kompanitë Rajonale të Ujësjellësve deri në fund të vitit 2022 do ta arrijë shifrën 83%, nga 79% sa është aktualisht”, tha Kurti.

Rreth 5 për qind të vendbanimeve mbetën pa ujësjellës, kryesisht fshatrat në zonat malore apo kufitare.

“Qeveria e Kosovës do të angazhohet drejt ndërtimit të akumulimeve të reja për të siguruar ujë të pijes dhe ujitje, zgjerimin e ujitjes, ndërtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura dhe rritjen e qasjes në rrjetin publik të kompanive rajonale të ujësjellësve”, tha ai.

Kosova është vendi më i varfër në rajon sa i përket disponueshmërisë së ujërave, pasi që ka më së paku të reshura vjetore, që për kokë banori janë 40% të mesatares së rajonit.

Uji i akumuluar për kokë banori është 290 m3 në krahasim me 696 m3 sa është mesatarja në rajon, e 42 për qind e rajonit.

Në Kosovë janë shtatë kompani rajonale të ujësjellësve (KRU), që menaxhojnë dhe shpërndajnë ujin për qytetarët.

Për t’i avancuar këto synime, për të reformuar sektorin e ujërave, Qeveria e Kosovës ka themeluar edhe përbërjen e re të Këshillit Ndërministror për Ujërat nën kryesimin e kryeministrit Kurti dhe në përbërje të ministrave përgjegjës për resurse ujore, shërbime ujore, ujitje dhe financa.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore