Lajme

‘Koreja e Veriut lëshoi raketë me rreze të shkurtër’


Koreja e Veriut ka lëshuar një raketë me rreze të shkurtër drejt detit në brigjet e saj lindore herët të martën, tha ushtria e Koresë së Jugut.

Testi ndodhi pasi ambasadori i Koresë së Veriut tha në Organizatën e Kombeve të Bashkuara se askush nuk mund të mohojë të drejtën e kryeqytetit Pyongyang, për vetëmbrojtje dhe për të testuar armë.

Në fillim të këtij muaji Pyongyang ka testuar raketat balistike dhe ato lundruese.

Disa ditë më parë edhe Koreja e Veriut kishte shprehur gatishmërinë për t’u angazhuar në bisedime me Jugun.

Ushtria amerikane tha në një deklaratë të martën se ishte në dijeni të lëshimit të raketës, por që nuk përbënte asnjë kërcënim të menjëhershëm për personelin amerikan ose aleatët e tij.

Sidoqoftë, Komanda Indo-Paqësore e SHBA-ve tha se nisja “nxori në pah ndikimin destabilizues të programit të armëve të paligjshme të Koresë së Veriut”.

Të martën, media japoneze citoi ministrinë e mbrojtjes të thoshte se predha mund të ketë qenë një raketë balistike, e cila është e ndaluar sipas sanksioneve të Kombeve të Bashkuara.

Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in ka urdhëruar Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Seulit të analizojë çdo qëllim pas lëshimit të raketës së fundit nga Pyongyang dhe deklaratat e fundit nga motra e fuqishme e Kim Jong-un, Kim Yo-jong.

Kim kishte thënë ditë më parë se ata ishin të hapur ndaj propozimit të Moon për të shpallur zyrtarisht fundin e Luftës Koreane, por shtoi se Jugu duhej të ndalonte së pari “politikat armiqësore”.

I dërguari i Koresë së Veriut, Kim Song gjatë fjlaës së tij në Asamblenë e Përgjithshme vjetore të OKB -së në New York, tha se Veriu kishte të drejtë të “zhvillonte, testonte, prodhonte dhe zotëronte” sisteme armësh.

Kim shtoi se vendi “po ndërton mbrojtjen tonë kombëtare për të mbrojtur veten dhe për të mbrojtur sigurinë dhe paqen e vendit”.

Koreja e Veriut ka akuzuar vazhdimisht Jugun për standarde të dyfishta mbi aktivitetet ushtarake.

Koreja e Jugut kohët e fundit testoi raketën e saj të parë balistike të lëshuar nga nëndetëset, për të cilën tha se ishte e nevojshme si parandalim kundër “provokimeve” të Koresë së Veriut.

Koreja e Veriut po përballet me mungesë ushqimi dhe ka kaluar më shumë se një vit në izolim. Ajo ka mbyllur kufijtë e saj për të mbajtur jashtë Covid-19, në këtë proces duke ndërprerë tregtinë me aleatin e saj më të ngushtë Kinën.

Megjithatë kjo nuk e ka ndaluar atë të vazhdojë me programin e saj të armëve. Në gusht, agjencia atomike e OKB-së tha se Koreja e Veriut duket se ka rifilluar një reaktor i cili mund të prodhojë plutonium për armët bërthamore, duke e quajtur atë një zhvillim “thellësisht shqetësues”.

Koreja e Veriut teston raketën e re me rreze të gjatë

Dy javë më parë media shtetërore e Koresë së Veriut (KCNA) ka publikuar pamjet e testit të suksesshëm të raketës së re me rreze të gjatë, gjatë fundjavës.

Sipas analistëve, kjo është arma e parë “me një aftësi bërthamore”.

KCNA-ja deklaroi se këto raketa janë “armë strategjike me rëndësi të madhe”.

Ato fluturuan 1 mijë e 500 km para se të godisnin objektivat e tyre dhe të binin në ujërat territoriale të Koresë.

Testi i fundit thekson përparimin e vazhdueshëm në programin e armëve të Phenianit.

Bisedimet me Shtetet e Bashkuara kanë ngecur që nga viti 2019.

Raketat lundruese të Koresë së Veriut zakonisht krijojnë më pak interes sesa raketat balistike sepse ato nuk janë të ndaluara në mënyrë eksplicite sipas Rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të OKB -së.

Ushtria e Koresë së Jugut nuk bëri të ditur nëse kishte zbuluar testet e fundit të Veriut, por tha të hënën se po kryente një analizë të detajuar në bashkëpunim me SHBA-të.

Komanda Indo-Paqësore e ushtrisë amerikane (INDOPACOM) tha se ishte në dijeni të raporteve dhe po koordinohet me aleatët dhe partnerët e saj.

Rodong Sinmun, gazeta zyrtare e Partisë së Punëtorëve në pushtet, publikoi fotografi të raketës së re lundruese që fluturonte dhe qëllohej nga një transportues-ngritës-lëshues.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore