Lajme

Konjufca për statutin e Asociacionit të sjellur nga Lajçak: Është në përputhje me Kushtetutën


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se statuti për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, i prezantuar nga delegacioni evropiano-amerikan të shtunën e 21 tetorit është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Nuk e kam shikuar me kujdes vetëm kështu një shikim sipërfaqësor, por është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, tha ai para gazetarëve.

Megjithatë, ai ka shtuar se nëse ndodh ndonjë draft i Asociacionit, ai do të propozohet nga Kosova dhe assesi nga Serbia.

“Nëse do ketë një draft të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ai do propozohet nga Republika e Kosovës, nëse jo nuk propozohet fare”, shtoi ai.

Por, Konjufca ka theksuar se nuk është në dijeni që Qeveria e ka pranuar planin e ri të “pesëshes së madhe” për statutin e Asociacionit.

“Nuk paskam dëgjuar që ka pasur pajtueshmëri për këtë planin e emisarëve euro-amerikanë. Ajo do vendoset në kontekst të marrëveshjes së Brukselit/Ohrit. Qeveria jonë e ka pranuar marrëveshjen dhe ka pranuar që ajo të zbatohet, është Serbia ajo që nuk e ka pranuar”.

“Dallimi është esencial për Kosovën dhe ka të bëjë me faktin që për Asociacion nuk duhet të negociohet. Nuk është Asociacioni temë qendrore e negociatave me Serbinë”, potencoi kreu i Kuvendit.

Ai është pyetur edhe takimin e mundshëm mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Bruksel gjatë kësaj jave.

“Nuk e di pse është thirrur takimi në Bruksel, nuk kemi kohë t’i dëgjojmë premtimet e kota të Vuçiçit se është paqësor. Ne jemi duke u përgatitur për sulme të ardhshme. Grupet terroriste po ushtrojnë që mund të sulmojnë Kosovën. Ne ishim në tavolinë më 14 shtator, por pas 10 ditëve u sulmuam”.

Paraprakisht, Koha.net, media e afërt me Qeverinë e Kosovës, raportoi se ekzekutivi ka pranuar planin e ri të BE-së, ku përfshihet edhe drafti për themelimin e Asociacionit.

Në fakt, nuk bëhet fjalë për një plan të ri që prezanton diçka substancialisht të ndryshme dhe Albanian Post nga burimet diplomatike ka kuptuar se është thjesht çështje e zbatimit të zotimeve të marra me Marrëveshjen në Bruksel dhe Aneksin në Ohër.

Ndërsa Qeveria ka njoftuar se aty thuhet se e kanë fjalën për dakordimin e Kurtit që “ky plan i ri të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali”.

Në këtë kontekst, Qeveria ka bërë të ditur se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i është përgjigjur pozitivisht kërkesës për një takim me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Presidentes së Komisionit Evropian, në margjinat e samitit të Këshillit Evropian.

Qeveria thotë se Kurti e ka pranuar “planin e ri” të prezantuar nga Pesëshja e Madhe

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore