Lajme

Konjufca kërkon ndryshimin e formatit të dialogut: Vuçiçi i lidhur fort me grupin terrorist në veri


Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), ka vlerësuar se ngjarjet vdekjeprurëse të 24 shtatorit në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, kanë ngritur nevojën për ndryshimin e formatit të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka qenë në dijeni për sulmin terrorist të paramilitarëve serbë dhe se autoritetet në Beograd janë të lidhur fort me sulmin e armatosur në pjesën veriore të Kosovës të banuar me serbë etnikë, i cili, sipas tij, ka pasur për qëllim aneksimin e pjesës veriore të territorit kosovar përmes agresionit të Serbisë.

“Ata i kanë shfrytëzuar pronat zyrtare të Ushtrisë së Serbisë. Është tallje me të gjitha këto informata dhe me karakterin shtetëror, edhe me informatat që i kanë edhe shërbimet e jashtme, që të thuhet se presidenti dhe figurat e larta të shtetit serb nuk e kanë ditë, përkundrazi qëndrojnë dhe janë të lidhur shumë ngushtë me këtë sulm”, ka theksuar kryetari Konjufca.

Ngjarjet fatale të 24 shtatorit, ku ka mbetur i vrarë një pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe tre pjesëtarë të grupit terrorist në krye me Millan Radoiçiçin, ish-nënkryetarin e Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – ka kthyer prapa të gjithë procesin për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE), ka deklaruar ai.

“Goditja që ia ka dhënë [procesit të dialogut] 24 shtatori… ne jemi pothuajse të bindur që nuk mund të vazhdojë në atë regjistër që ka qenë. Duhet të ndryshojë në kuptimin e këtij projekti që e ka prezantuar Emisari [Speical i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav] Lajçak…”, ka thënë Konjufca, duke iu referuar çështjes së Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Derisa ka folur për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, kryekuvendari kosovar ka nënvizuar se Serbia duhet të pajtohet që ky instrument vetë-menaxhues për serbët e Kosovës duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, ndërsa sa i përket kësaj çështjeje, ka shtuar se nuk do t’i bëjnë gabimet e së kaluarës.

E eskalimi në shkallë të gjerë i situatës në veriun e trazuar të Kosovës ka ndikuar substancialisht në bllokimin e ecurisë së procesit të dialogut që po i mbanë të zënë diplomatët perëndimorë përgjatë kësaj kohe, megjithëse BE-ja pret nga palët që të rikthehen në tryezën e negociatave nën kujdesin e lehtësuesve evropianë në Bruksel.

Kosova me të drejtë kërkon “ripërzierje letrash” në tryezën e dialogut, por paralelisht duhet të ofrojë zgjidhje për serbët e veriut

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore