Shqipëria

Komiteti Këshillimor i KE-së publikon raportin e ri për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Shqipëri


Komiteti Këshillimor për Konventën Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare (KKMK) ka publikuar opinionin e pestë për Shqipërinë.

Atmosfera e respektit të ndërsjellë dhe të dialogut ndërkulturor që mbizotëron në Shqipëri, veçanërisht në aspektin e tolerancës ndërfetare, kanë qenë në fokus të raportit.

Por mungesa e të dhënave të besueshme, të grumbulluara për pakicat kombëtare, duke filluar nga të dhënat e regjistrimit e deri te monitorimi i gjuhës së urrejtjes dhe krimeve të urrejtjes, paraqet sfida në vlerësimin e situatës së tyre dhe në hartimin e politikave të synuara.

Sipas raportit, sfidat vërehen veçanërisht duke pasur parasysh kufizimet e përfshira në Ligjin për Pakicat Kombëtare.

Komiteti Këshillimor dallon se kuadri ligjor aktual është përgjithësisht i shëndoshë, por i mungon specifika.

Po ashtu vërehet se Shqipëria përballet me shumë sfida, si migrimi në Evropën Perëndimore dhe migrimi i brendshëm drejt kryeqytetit.

Nga ana tjetër, çështja e trafikimit të qenieve njerëzore prek në mënyrë disproporcionale pakicat etnike. Këto dukuri prekin veçanërisht zonat rurale, ku shkalla e varfërisë është veçanërisht e lartë.

Referuar raportit, rritja e shpejtë e industrisë së turizmit po transformon pjesë të vendit, duke ndikuar në aftësinë e pakicave etnike për të ruajtur kulturën e tyre dhe për të marrë pjesë në jetën ekonomike dhe sociale.

Sakaq, rregullorja për mbledhjen e të dhënave për njohjen zyrtare të pakicave kombëtare nuk është miratuar.

Raporti konstaton se plani i propozuar bazohet në ato që konsiderohen kritere objektive bazuar në të dhëna historike jo të besueshme.

Dhe se regjistrimi i popullsisë në tetor 2023 është kritik.

Ndryshimet kanë hequr gjobat administrative për përgjigje të gabuara, që është një zhvillim pozitiv.

Por, sipas raportit, është e nevojshme që regjistrimi të jetë pjesëmarrës dhe që pakicat etnike të jenë të informuara mirë dhe të kenë besim në proces.

Më tej, dallohet se pakicat rome dhe egjiptiane njihen si pakica kombëtare të veçanta me ligj, por autoritetet shpesh i ngatërrojnë të dyja në dokumentet e politikave.

Kushtet e banimit për minoritetet rome dhe egjiptiane janë gjithashtu shqetësuese, duke përfshirë ndarjen dhe diskriminimin në tregun privat të qirave, statusin e parregullt të pronës dhe kërcënimin e dëbimeve me forcë.

Gjithashtu Komiteti Këshillimor konstaton se ndarja e shkollave është një problem sistematik në të gjithë Shqipërinë, duke prekur veçanërisht pakicat rome dhe egjiptiane, siç konstatohet edhe nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.

Ndërkohë, të drejtat gjuhësore mbeten të aksesueshme vetëm në disa zona të vendit dhe vetëm për pakicat maqedonase dhe greke.

Ndaj, Komisioni rekomandon që të rishikohen pragjet për akses në të drejta të tilla dhe që autoritetet të marrin një qasje aktive për të rritur ndërgjegjësimin për aksesin në të drejtat gjuhësore të mbrojtura nga Konventa Kuadër.

Pakicat kombëtare kanë mundësi të kufizuara për pjesëmarrje politike, veçanërisht në nivel kombëtar.

Raporti dallon gjithashtu se Komisioni për Pakicat Kombëtare, i cili synohet të shërbejë si zëri i pakicave brenda qeverisë, shpesh shihet nga pakicat si i paarritshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore