Lajme

Komiteti i OKB-së: Zvicra nuk duhet të deportojë “gylenistët” në Kosovë


Foto/BIRN

Komiteti i Organizatës së Kombeve të Bashkuara kundër Torturës tha se Zvicra nuk do të duhej ta deportonte një çift turk të lidhur me klerikun Fethullah Gulen në Kosovë, sepse ekziston rreziku që ata të transferohen në Turqi dhe të përballen me tortura, raportoi të mërkurën BIRN.

Personat të cilët për vite me radhë kanë punuar si mësues në shkollat ​​e lidhura me Gylen-in në Kosovë, aplikuan për azil në Zvicër në vitin 2020, por kërkesa e tyre është refuzuar nga autoritetet zvicerane dhe është vendosur që ata të deportohen në Kosovë.

Sipas raportimit të BIRN, komiteti i OKB-së tha në vendimin e tij se sipas Konventës së OKB-së kundër Torturës dhe Trajtimit ose Ndëshkimit tjetër Mizor, Zvicra e ka për obligim të përmbahet nga deportimi me forcë të çiftit në Kosovë.

Avokati i çiftit që i përfaqësoi ata në komitetin e OKB-së, Ali Yildiz, tha se Kosova nuk është një vend i sigurt për gylenistët dhe se qeveria zvicerane ka shkelur Konventën e OKB-së duke vendosur t’i dëbojë ata në Kosovë.

“Komiteti, i cili tashmë ka nxjerrë një masë të përkohshme për të parandaluar dëbimet e ankuesve, arriti në përfundimin se autoritetet zvicerane gabuan në vendimet e tyre”, tha Yildiz.

Ndryshe, gjashtë shtetas turq të lidhur me rrjetin e Gylen-it në Kosovë u deportuan në Turqi në vitin 2018, megjithatë, komiteti i OKB-së tha se definicioni i tij i deportimit përfshin ekstradimet dhe transferimet e dhunshme.

Ndër të tjera, Komiteti tha se ka arsye për shqetësim shtesë për shkak të ndikimit të Turqisë në Kosovë, pasi deportimet e mëparshme të gylenistëve kanë ndodhur “përkundër udhëzimeve të Kryeprokurorit Special të Kosovës, i cili kishte refuzuar kërkesën për ekstradim të individëve në fjalë”.

Komiteti i OKB-së tha se Zvicra mbrojti vendimin e saj për deportimin e çiftit turk duke thënë se nëse Kosova i transferonte ata në Turqi, “një veprim i tillë në fakt do të rrezikonte funksionimin e duhur të bashkëpunimit dypalësh me Zvicrën, e cila nuk është në interesin e Kosovës”.

Erdogan ka fajësuar Gulenin se qëndron prapa grusht-shtetit të dështuar më 15 korrik të 2016-s në Turqi, dhe prej atëherë, autoritetet turke kanë arrestuar mijëra persona dhe shumë të tjerë i kanë larguar nga puna, pas dyshimeve se janë “gylenistë”, apo ndjekës të klerikut Gulen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore