Shqipëria

Komisioni Zgjedhor i PD hedh shortin, ja si renditen kandidatët në fletëvotim


Pasditen e 3 qershorit, Komisioni Zgjedhor i Partisë Demokratike është mbledhur për të hedhur shortin mbi renditjen e emrave të katër kandidatëve, që garojnë për kryetar partie, në fletën e votimit, për zgjedhjet e 13 qershorit.

I pari në listën me katër emra, do të jetë Fatbardh Kadilli, sipas shortit të Komisionit Zgjedhor. Emri i dytë në fletë, do të jetë ai i Edith Harxhit.

Kjo e fundit, është kandidatja, e cila është anëtare e PD-së që prej themelimit të saj pas protestave të dhjetorit 1991.

I treti do të renditet Agron Shehaj. Biznesmeni vlonjat mori numrin e dytë më të madh të votave, pas Lulzim Bashës, më 25 prill. Pavarësisht se fillimisht ai u duk se ishte në mbështetje të Bashës pas zgjedhjeve, Shehaj zgjodhi të kandidojë për kryetar të partisë.

I fundit në listën demokrate do të renditet kryetari aktual, Lulzim Basha, duke mbajtur numrin katër në fletë. Basha afroi garimin për kreun e PD-së, duke e sjellë atë më 13 qershor. Një lëvizje kjo, e cila u kritikua nga demokratë të shumtë, përfshi ish-kreun e partisë, Sali Berisha.

Basha humbi zgjedhjet e përgjithshme për herë të dytë më 25 prill 2021, por pavarësisht këtij fakti, ai vendosi të mos japë dorëheqjen nga kryetar i partisë. Në zgjedhjet e humbura të vitit 2017, Basha vendosi të ngrinte përkohësisht funksionet e tij brenda PD-së.

Më pas, kryedemokrati garoi përballë Eduart Selamit dhe i fitoi zgjedhjet bindshëm.

Tashmë, Partia Demokratike do të shohë si asnjëherë tjetër, një garë katër polëshe për kreun e saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore