Lajme

“Koha për veprime e jo fjalë” LVV-ja thërret seancë të jashtëzakonshme për anulimin e shkëmbimit të pronave


Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë ka njoftuar se të hënën e 5 shkurtit do thërras sërish seancë të jashtëzakonshme për anulimin e shkëmbimit të pronave në Badovc.

“Ftojmë të gjitha subjektet politike të bashkohen në këtë nismë jetike për mbrojtjen e pronës publike. Është koha për veprime konkrete e jo fjalë. Andaj duhet të veprojmë sa më parë”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.

Ndërsa asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvendin e Prishtinës, Leutrim Retkoceri, ka njoftuar se ka filluar procesi i mbledhjes së nënshkrimeve për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për shfuqizimin e vendimit për Badovcit.

“Kemi më shumë se tre orë prej që kemi filluar procesin e mbledhjes së nënshkrimeve për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për shfuqizimin e vendimit të dëmshëm për Badovc, me arsyetimin e bashkëngjitur”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai ka shtuar se LVV kishte thënë publikisht se e mbështetë nëse marrim konfirmimet e nevojshme ligjore dhe iu qasëm në bazë të fjalëve të tyre publike për të vepruar për të mirën e përbashkët.

“Derisa po merrnim nënshkrimet e nevojshme në terren, pamë që LVV doli me njoftim publik për iniciativën e njëjtë. Shumë mirë. Për ne nuk ka pasë asnjëherë randësi kush thërret mbledhje. Këtë e kemi dëshmuar edhe me rastin e mbledhjes për faljen e tatimit në pronë. Nuk kemi nevojë as tash për protagonizmin e njëjtë. Ne mbështesim cilëndo thirrje për anulimin e vendimit”, potencoi Retkoceri.

Ndërkaq javën e kaluar, ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) pezulloi vendimin e komunës së Prishtinës për të kryer një këmbim ndërmjet pronës komunale dhe pronës private.

Në vendimin e MFPT  mbi pezullimin e ekzekutimit të vendimit të Kuvendit të Komunës së Prishtinë lidhur me procedurën e vlerësimit të pronave të paluajtshme të cilat janë objekt i këmbimit, thuhet se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) tërhoqi ligjshmërinë e lëshuar dhe çështja është rikthyer për rivendosje në Kuvendin Komunal.

Procedura e vlerësimit, sipas MFPT-së, do të nis kur të mënjanohen pengesat ligjore të evidentuara nga MAPL-ja.

Prokuroria e Shtetit ka nisur edhe një hetim parapenal për vendimin e komunës së Prishtinës për këmbimin e pronës së kryeqytetit në lagjen “Prishtina e Re” me një tokë në Badovc e që dyshohet të jetë në pronësi të ish-klientëve të kryetarit Rama.

Në anën tjetër, kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, mohoi të ketë pasur shkelje ligjore në procesin e këmbimit midis pronave komunale dhe pronave private, ndërsa raportimet e mediave mbi rastin i cilësoi tendencioze për qëllim të denigrimit të qeverisjes së kryeqytetit.

(KOHA raportoi për herë të parë për dhënien e rreth 7 hektarëve në “Prishtina e Re” një biznesmeni kosovar, në këmbim të rreth 10 hektarëve që ky i fundit i kishte në pronësi në Badovc, vendbanim afër Graçanicës).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore