Lajme

Rama për shkëmbimin e pronave: Jam cak i sulmeve, u raportua me tendencë – procesi është i para 2 vitesh


Përparim Rama

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, në një konferencë të jashtëzakonshme për media i ka cilësuar si tendencioze raportimet për këmbimin e të paktën 20 hektarëve tokë në Badoc me 8 hektarë tokë në zonë Prishtina e Re, ndërsa ka mohuar në mënyrë kategorike përfshirjen e tij në këtë proces.

“Mediat e caktuara kanë keqraportuar dhe kanë keqinformuar qytetarin e Prishtinës, këto keqraportime nuk kanë përfshirë të gjitha faktet dhe dokumentacionet. Nuk kemi dhënë 20 hektarë për tetë hektarë”, ka thënë ai fillimisht.

Këto raportime të mediave për këmbim tokash, sipas Ramës, kanë pasur si cak denigrimin e qeverisjes së kryeqytetit, por edhe të tijin personal, meqë procesi në fjalë nuk ka nisur gjatë mandatit të tij, por para 2 vitesh

“Duke ju referu një procesi i cili ka filluar qysh para qeverisjes tonë, dy vite para qeverisjes sonë. Edhe kjo si pasojë e Ministrisë së Ambientit”.

Thënë kjo, Rama ka theksuar se Ministria e Financave është ajo që bën vlerësimin e pronave dhe është autoriteti i vetëm i cili përcakton sa tokë do të jepet, e jo Komuna.

“Ne si Kuvend jemi duke zbatuar një proces të rregullt i miratuar nga asambleja komunale i vlerësuar nga Ministria e Administrimit Lokal dhe është ende proces i papërfunduar, pra është në zhvillim e sipër. Në këtë rast kemi ndjekur të gjitha hapat ligjor dhe procedural në bazë të vlerësimeve të bëra nga ministrit përkatëse, pasi që pala ka pasur vendime të miratuara nga ministrit për këmbim të pronës e që e obligon kryeqytetin me vepru”.

Rama gjersa ka ritheksuar se nuk është ai që e ka nisur këtë proces, por si Komunë është i obliguar të zbatojë vendimet e ministrive të marra dy vite më parë, ka potencuar se në këtë rast nuk është ai i cili ka dëmtuar interesin publik.

“Kam trashëguar vendime të institucioneve që kanë cilësuar tokat rreth Badovcit si interes publik, pra ne kemi vepruar sipas këtyre vendimeve. Të gjitha këto keqraportime janë të pavërteta dhe tendencioze”.

Komuna e Prishtinës është akuzuar për këmbim të pronave të Komunës së Prishtinës te Prishtina e Re, me prona në Badoc, në të cilat nuk lejohet ndërtimi.

Për këtë është raportuar se edhe Prokuroria e Shtetit ka nisur hetimet parapenale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore