Sport

Klubet angleze dëshirojnë transferimin e Skriniar, Inter-i përgatit rinovimin


Interesimi i klubeve angleze përfshirë Manchester United dhe Tottenham-in, ka bërë që drejtuesit e klubit të Inter-it të përshpejtojnë punën për rinovimin e kontratës së mbrojtësit, Milan Skriniar.

Kontrata atkuale e mbrojtësit sllovak skadon në verën e vitit 2023, derisa zikaltrit synojnë që ta zgjasin këtë marrëveshje edhe për tre vite të tjera.

Sipas asaj që shkruajnë mediat në Itali, drejtuesit e Inter-it mendojnë t’ia ofrojnë rinovimin 27 vjeçarit me një pagë më të mirë sesa ai përfiton aktualisht.

Kampionët në fuqi të Italisë synojnë ta fiksojnë pagën fillimisht në 4.5 milionë euro, që do të rritet gradualisht gjatë vitit të parë të rinovimit në 5 milionë euro.

Për momentin, palët vazhdojnë bisedimet, por mediat raportojnë se duke ndjekur këtë rrugë Inter-i rrezikon shumë, pasi interesimi i klubeve angleze mund të çojë në dështimin e rinovimit me futbollistin.

Kujtojmë që vlera në treg e Skriniar-it shkon mbi 60 milionë euro, mirëpo klubet e lartcekura synojnë një marrëveshje me qendërmbrojtësin, në mënyrë që ta transferojnë atë me parametra zero pasi t’i skadojë kontrata.

Për ta transferuar në skuadër mbrojtësin shtatlartë, Inter-i shpenzoi plotë 35 milionë euro në arkat e klubit të Sampdoria-s në vitin 2017.

Deri më tani, ai ka regjistruar 205 paraqitje në të gjitha garat me fanellën zikaltër, prej të cilave ka realizuar 11 gola.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore