Sport

Klopp: Lewandowski lojtari më i mirë me të cilin kam punuar


Jurgen Klopp, trajneri i Liverpool-it dhe ish-trajneri i Borussia Dortmund-it, në një intervistë për Sport Bild ka thënë se Robert Lewandowski është lojtari më i mirë që ai ka trajnuar.

Pavarësisht se në Liverpool, Klopp-i ka në ekip yje si Sadio Mane, Mohammed Salah, Virgil van Dijk etj. tekniku është i mahnitur nga polaku, të cilin e kishte pjesë të Dortmund-it të tij, së bashku me yjet e tjerë si Mario Gotze, Marco Reus, Mats Hummels etj.

Tekniku e ka cilësuar Lewandovski-n si “makineri absolute”.

“Robert Lewandowski. Në të vërtet nuk do të jetë e drejtë të thuhet për ndonjë lojtar tjetër përveç Lewës. Çfarë ka marrë nga potenciali i tij, si e shtyu veten të bëhej lojtari që është sot, kjo është e jashtëzakonshme”, tha Klopp.

Klopp-i e vlerësoi sulmuesin e Bayern Munich-ut për etikën e punës dhe grintën për të arritur në majë.

“Lewa ndërmori çdo hap që duhej të hidhte për të qenë makineri goli. Ai është i përfshirë në lojë, ai thjesht di në çdo situatë se çfarë duhet të bëjë, ku duhet të shkojë. Lewa është një makineri absolute”, shpjegoi ai.

Lewandowski është në rrugë të mbarë për të thyer rekordin e Gerd Muller-it me më shumë gola në një sezon në Bundesligë. Ai ka shënuar 32 gola deri më tani në 24 paraqitje dhe duke asistuar edhe gjashtë herë. Muller-i shënoi 40 gola në Bundesligë, në sezonin 1971/72.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore