Lajme

“Kërcënim për sigurinë”, ukrainasit në Zvicër të zemëruar me praninë e Vuçiç-it në Davos


Ilustrim

Unioni i ukrainasve në Zvicër ka kundërshtuar ashpër pjesëmarrjen e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, duke deklaruar se politika e tij minon sigurinë evropiane në dritën e agresionit rus në Ukrainë.

Në një letër të publikuar në rrjetin social Twitter, thuhet se Rusia, e cila mbështet qëndrimin e Serbisë për çështjen e Kosovës, po përpiqet të destabilizojë situatën në pikat kufitare duke përhapur dezinformata dhe sulme të tjera hibride.

“Dëshmitë sugjerojnë se presidenti Aleksandër Vuçiç po minon situatën e sigurisë në Ballkan dhe në Evropë për të arritur qëllimet e tij dhe të Rusisë. Paraqitja me liderë të tjerë botërorë në Davos i jep Vuçiç-it një platformë, e cila legjitimon vendimin e Serbisë për t’u rreshtuar me Rusinë dhe kundër kombeve demokratike të Evropës”, thuhet në letër.

Ata kanë kërkuar nga organizatorët që të shpjegojnë arsyet e pjesëmarrjes së Vuçiç-it në këtë forum dhe ta pengojnë atë të përdorë ngjarjen më të madhe të pasurisë dhe fuqisë politike në kalendarin global për të ndjekur axhendën e tij.

Për ukrainasit është e paqartë pse presidenti serb u ftua për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror dhe cili mund të jetë kontributi i tij në panelin “Zgjerimi i Horizonteve Evropiane”, në të cilin ai do të marrë pjesë të enjten e 19 janarit.

“Ne vëmë në dyshim legjitimitetin e paraqitjes së Presidentit Vuçiç në Davos në dritën e përgjigjes së tij ndaj agresionit rus kundër Ukrainës, që është padyshim kërcënimi më i madh për sigurinë evropiane në shekullin e 21-të”, thuhet në letër.

Unioni i Ukrainasve rikujton se Serbia vazhdimisht refuzon të harmonizojë politikën e saj të jashtme me politikën e Bashkimit Evropian, përkatësisht të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe theksojnë se, përveç Bjellorusisë, është i vetmi vend në Evropë që ende nuk e ka bërë këtë.

Në këtë kontekst, ukrainasit kujtojnë edhe marrëveshjen që Serbia dhe Rusia nënshkruan në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator të vitit të kaluar, e cila parashikonte konsultime për çështjet e politikës së jashtme.

Në letrën e hapur, po ashtu, thuhet se deputeti i partisë në pushtet, Vladimir Gjukanoviç, ka deklaruar se Serbia do të detyrohet të fillojë “denazifikimin e Ballkanit”, që për ukrainasit në Zvicër është jehonë e justifikimit të Vladimir Putin-it për luftën në Ukrainë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore