Lajme

Kë realisht ndihmon skema e re sociale e prezantuar nga Kurti?


Albin Kurti

Ende e pashpalosur mirë dhe pa dhënë të gjitha detajet, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar një skemë të re të qeverisë së tij që ka të bëjë me punësimin për qytetarë.

Siç e ka shpjeguar shkurt kryeministri Kurti, “skema Qeveria për Familjen” do të subvencionojë një pjesë të pagave për punëtorët e rinj, pavarësisht llojit të punës, apo kompanisë e cila ofron punësimin për punëtorin e ri.

“Në kuadër të masave të punësimit synojmë të garantojmë që çdo familje në republikën e Kosovës ka së paku një të punësuar. Nëpërmjet të kësaj skeme ne synojmë të subvencionojmë deri në 70 për qind të pagës bruto të punëtorit maksimumi 300 euro për gjashtë muaj me radhë”, ka thënë Kurti.

Gjithsesi, skema e ka një kleçkë.

“Punëkërkuesi nuk duhet të ketë asnjë të punësuar tjetër në familje”, ka thënë kryeministri.

Problemi me skemën është se, kështu siç e ka dhënë Kurti përbën një politikë shumë të gjeneralizuar.

Fillimisht, për shkak të informalitetit në ekonominë kosovare, ka shumë persona që punojnë, por që nuk janë të regjistruar.

Po ashtu, ka familje që vetëmbahen përmes ekonomisë familjare, e cila as nuk është biznes i regjistruar dhe as s’përbën një të tillë, porse u mundëson familjeve që të mbijetojnë.

Për shembull, ka familje që kanë një numër të caktuar bagëtish dhe merren në nivel mikro me blegtori: shitjen e djathit, kosit dhe nënprodukteve të tjera nga qumështi”. A përfshihen këto familje në skemë?

Ka pasur edhe kritika të tjera, të llojit se është vështirë të gjendet një familje në Kosovë që s’e ka së paku një të punësuar.

Skema synon të ndihmojë familjet e varfra pasi ato në klasën e mesme dhe të lartë, patjetër se kanë të punësuar. Kështu, ato familje që tash mund të përfitojnë nga kjo skemë, a nënkupton që do të dalin nga skema të tjera që ofron shteti, siç është skema sociale për shtesa mujore për familje në nevojë.

Ndoshta, detaje më shumë do të jep, ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, i cili pritet të dal të hënën me shpjegime shtesë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore