Lajme

Kamberi: Lugina e sheh dialogun Kosovë-Serbi mekanizëm që mund t’i përgjigjet kërkesave tona


Shaip Kamberi

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se pas rrethanave të fundit të krijuara në Kosovë, pra pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit, shqiptarët në Luginë të Preshevës janë duku u konsideruar si armiq në Serbi.

Këto komente, Kamberi i ka bërë në një intervistë për “EuroNews Albania”.

“Pesimisti thonë është një optimist i informuar. Për shkak të rrethanave të Kosovës, shqiptarët në Luginë të Preshevës, konsiderohen si armiq dhe refuzojnë të gjithë kërkesat tona që i kemi paraqitur”, tha Kamberi.

Siç pohon ai, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të bëjnë “një drejtësi më të madhe që Serbia të ndryshojë qasjen e saj ndaj shqiptarëve’.

“Këtu ne e shohim dialogun mes Kosovës dhe Serbisë si një mekanizëm që mund të japë përgjigje për kërkesat tona. Meqenëse kërkesat tona janë të lidhura me standardet e Këshillit të Evropës”, pohoi.

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë ka kërkuar edhe nga Shqipëria që të punojë më shumë në këtë drejtim.

“Shqipëria si shtet anëtar në mekanizmat ndërkombëtar do të duhet të luajë një rol më të madh në këtë drejtim. Ne po kërkojmë që Shqipëria dhe Kosova të ndërtojnë programe të veçanta shtetërore për pozitën e shqiptarëve në Luginë të Preshevës”, pohoi.

Shqiptarët që jetojnë në Luginë të Preshevës janë të shtypur sistematikisht nga institucionet e Serbisë.

Madje, atyre nuk iu lejohet as përdorimi i flamurit kombëtar.

Së fundmi një nga çështjet që është ngritur edhe në Senatin amerikan është pasivizimi i adresave që Serbia po i bënë shqiptarëve atje, posaçërisht në Medvegjë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore