Lajme

Kam dallime me Osmanin, një nga to është Asociacioni


Borut Pahor

Për presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor, Kosova dhe Sllovenia kanë qëndrime të përbashkëta dhe këndvështrime të njëjta për shumicën e çështjeve problematike në rajon dhe botë.

Megjithatë sipas tij, qëndrimet e Kosovës dhe Sllovenisë dallojnë në një rast të vetme – atë të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Sipas Pahor, Kosova pavarësisht të drejtës së saj kushtetuese, duhet të implementojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

“Duhet të implementohen marrëveshjet e arritura kështu do të fuqizohet besimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Unë i kam thënë edhe Osmanit që të gjendet një zgjidhje që të arrihet kjo marrëveshje, përderisa nuk kemi alternativ, dhe as propozime nga palët, vlen marrëveshja e arritur më parë”, ka thënë Pahor në një konferencë të përbashkët për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Më tej Pahor ka bërë të ditur se në Samitin e 11-të të Brdo-Brioni, më 12 shtator, do të flasin për tema si mundësimi sa më i shpejtë i negociatave për shtetet që kanë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkim Evropian.

Një ndër temat e këtij samiti, sipas presidentit slloven, do të jetë edhe nevoja që të plotësohet kërkesa për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Temë tjetër është edhe kriza energjetike që na pret gjatë dimrit, mendoj që synimi është që ne t’i themi Bashkimit Evropian që të mos harrojë Ballkanin Perëndimor dhe të bëjë më shumë përpjekje sesa që bëri për krizën me COVID-19”, ka thënë më tej Pahori.

Për Pahor një problem madhor ndër vite është konsideruar ngecja në dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë ai është shprehur i kënaqur që në mes të dy vendeve është arritur një, siç e quajti ai, rezultat i pjesshëm, në kuadër të dialogut për çështjen e dokumenteve për hyrje-dalje.

Ai më tej ka bërë të ditur se liderët e Ballkanit Perëndimor duhet t’i anashkalojnë retorikat që nxisin konflikte.

“Ne duhet të jemi të vetëdijshëm që në drejtuesit në këtë rajon dhe përreth jemi të detyruar që të anashkalojmë deklaratat që prishin shkallën e besimit. Nuk bëhet fjala vetëm për Beogradin dhe Prishtinën, kemi të bëjmë edhe probleme të tjera”, ka shtuar ai.

Për Pahor, deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksnadër Vuçiç se Rusia nuk e ka shkelur integritetin e Serbisë, meqë nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ndërkohë që Sllovenia e ka bërë një gjë të tillë, është tendencioze.

“Sllovenia dhe Serbia sa i përket Kosovës kanë qëndrime të ndryshme, ne këtë shtet e kemi pranuar, Serbia nuk e ka pranuar, mendoj që kjo deklaratë ishte tendencioze, por ajo që është, është një ripërsëritje e asaj që ekziston, por unë edhe në konferencën e Beogradit kam thënë që nuk duhet të rrezikohet perspektiva evropiane dhe të kërcënohet siguria e saj”, ka thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore