Lajme

Kalvari i vuajtjeve të 25-vjeçarit në Miami, mes torturave në burg dhe talljeve të efektivëve


“Kur më dërguan në burg, kisha humbur çdo shpresë: nuk mund të telefonoja askënd, u ndjeva i braktisur nga dhimbjet dhe i ftohti i atij burgu. Thjesht mendova: A do ta marrë vesh kush që jam këtu? Çfarë do të ndodhë me mua?”.

Këto ishin pikëpyetjet e të riut italian Matteo Falcinell për situatën “tejet të vështirë” me të cilën u përball, një situatë e çuditshme me plot hije dyshimi teksa u arrestua në Florida, në Miami, me metoda të qarta të dhunshme.

Sado e pabesueshme të duket, brutaliteti i atyre momenteve, me kyçet e lidhura me rripa mbrapa shpine në dhomën e sigurisë së komisariatit të treguar nga kamerat e policëve, mund të mos jetë pjesa më e rëndë e trajtimit të pësuar nga 25-vjeçari natën mes 24 dhe 25 shkurtit dhe në ditët në vijim.

Ekziston një kapitull i tërë për ngacmimin i krahasueshëm me torturën që ka përshkruar i riu dhe për të cilën nëna e tij – Vlasta Studenicova – dhe avokatët amerikanë e italianë po mbledhin materiale për ta përfshirë në një ankesë.

Matteo hyri në stacionin North Miami Beach në orën 03:38 të mëngjesit të datës 25, kur ai regjistrohet zyrtarisht në sistemin kompjuterik.

Përleshja në klubin Biscane Bay mësohet të ketë ndodhur rreth orës 22:30 dhe për 18 orë asnjë shok apo familjar nuk dëgjoi më për të.

“Matteo donte të kthehej për të marrë dy telefonat në lokal dhe i kërkoi, por oficerët, në vend që ta ndihmonin, i thanë të largohej. Më pas filloi t’u drejtohej oficerëve duke i pyetur se pse nuk po bënin punën e tyre në shërbim të qytetarëve, por pikërisht në atë moment preku me gisht distinktivin e njërit prej policëve dhe prej aty filloi agresioni dhe arrestimi”, ka thënë nëna e të riut.

Në lojë hyjnë dy shokë të klasës në universitet, dy miq që bëhen shpëtimtarët e tij: Andrew, amerikan dhe Antonio, italian.

Ata e gjurmojnë arrestimin e tij në faqen zyrtare në internet të policisë ku mbahen shënim të gjitha ndërhyrjet e këtij lloji, dhe mbërrijnë në komisariat.

Por ata nuk lejohen të flasin me të.

Ndërkohë, ai i ishte dorëzuar vetëlëndimit për herë të parë, duke goditur me kokë hekurat e makinës që e dërgoi drejt burgut.

Ai pengohet efektivisht të thërrasë një avokat, sepse agjencitë që paguajnë garancinë nuk i besojnë një të huaji dhe ai nuk ka numrin e një personi kontakti që ta mbajë mend përmendsh sepse kupton që nuk e ka më celularin me vete.

Ai mund të paguante garancinë, por ligji e ndalon.

Edhe kur miqtë kontaktojnë nënën e tij dhe paguajnë 4 mijë dollarë për ta liruar, atij i thuhet thuajse një ditë më vonë.

Iu caktua vendi mbi një krevat marinari në qelinë e tij, por ai u përpoq të futej brenda për shkak të lëndimeve në duar dhe këmbë.

Dhe nuk kontrollohet nga mjeku.

I lodhur dhe i lënduar, kërkon një batanije dhe një jastëk, të cilat ia mohojnë duke e tallur: “Rri këtu, mos ik”.

Po ashtu i thonë sërish: “Do kalbesh në burg, nuk ke të drejta këtu”, duke tundur kartën e identitetit përpara tij.

Kamera e trupit të një polici e tregon studentin në qeli, i hedhur në tokë, teksa i shtrëngojnë prangat me çelësa dhe lidhin duart dhe kyçet me rrip.

E tërheqin me forcë dhe më pas e lënë në një krah.

Pasi lirohet, ai vjell dhe rrëzohet, shkon në një klinikë psikiatrike sepse rrezikon të vetëvritet, pastaj, pas pesë ditësh të tjera, kthehet në banesën e tij ku është me nënën dhe vëllain e tij.

“Nuk isha në dijeni të asaj që po ndodhte atje dhe u ndjeva si një kafshë e bllokuar. Vetëm kur dëgjova zërat e miqve mendova se mund t’ja dilja”, ka rrëfyer ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore