Lajme

Jevtiç: S’besoj që Kurti do ta themelojë Asociacionin, kam frikë se do të ketë një incident tjetër


Dalibor Jevtiç

Kryetari i Shtërpcës, Dalibor Jevtiç, deklaroi se këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet i ka thënë kryeministrit Albin Kurti se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të formohet deri në pranverë, me ose pa të në Qeveri.

“Në takimin me Chollet-in dhe delegacionin amerikan na është përcjellë një informacion i tillë, por nuk e pres që Kurti ta bëjë këtë dhe kam frikë se do të ketë një incident tjetër, sepse sa herë që vjen një mesazh i tillë nga Uashingtoni, ai devijon vëmendje nga kjo”, tha Jevtiç për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug.

Ai vlerësoi se Bashkimi Evropian nuk ka mekanizma për të ndikuar te Kurti ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe apo për ta detyruar atë të zbatojë çdo marrëveshje dhe se në këtë mes, Uashingtoni luan një rol kyç.

Nënsekretari amerikan i Shtetit, Derek Chollet, në një periudhë përpjekjesh për ripërtëritjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, erdhi nga Uashingtoni në Prishtinë, e më pas në Beograd, për t’u takuar me krerët institucionalë dhe me liderët e partive politike në të dyja vendet.

Njeriu i cili deri më tash i dërgonte mesazhet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë e Beograd përmes rrjetit socal Twitter, të mërkurën pati mundësinë që qëndrimet e administratës së Joe Biden rreth situatës politike në rajon t’i përçonte në mënyrë direkte.

Derek Chollet: Ngjarjet në Veri i kanë dhënë rëndësi Asociacionit, të themelohet urgjentisht

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore