Lajme

Derek Chollet: Ngjarjet në Veri i kanë dhënë rëndësi Asociacionit, të themelohet urgjentisht


Derek Chollet

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, në një periudhë përpjekjesh për ripërtëritjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, erdhi nga Uashingtoni në Prishtinë për t’u takuar me krerët institucionalë dhe me liderët e partive politike në vend.

Njeriu i cili deri më tash i dërgonte mesazhet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes rrjetit socal Twitter, nga ku shpesh shprehte “zhgënjimin” me ekzekutivin kosovar, të mërkurën pati mundësinë që qëndrimet e administratës së Joe Biden rreth situatës politike në rajon t’i përçonte në mënyrë direkte.

Chollet, vizitën e tij e nisi në Presidencën e Kosovës ku takoi presidenten Vjosa Osmani, për të vazhduar më pas në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, ku u prit nga kryeministri Albin Kurti, prapa dyerve të mbyllura.

Nuk pati konferencë për media.

Në komunikatat që u lëshuan nga Presidenca dhe Qeveria pas takimit të presidentes dhe kryeministrit thuhej se procesi i dialogut, propozimi franko-gjerman dhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ishin ndër temat e diskutimit.

Osmani e Kurti nuk e permenden, por në një takim me një grup gazetarësh, Chollet tha se SHBA-të presin nga Kosova të përmbushë të gjitha obligimet e saj në dialogun më Serbinë, që përfshijnë edhe themelimin “urgjent” të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Kosova duhet të përmbushë të gjitha zotimet në kuadër të dialogut, përfshirë edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ne besojmë se Asociacioni është një çështje urgjente, është një çështje urgjente në agjendën e dialogut, ka marrë një rëndësi edhe më të madhe pas ngjarjeve të fundit në veri”, tha ai.

Kosova ka sfida të rënda përpara, për sa i përket themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të ratifikuar në Kuvend më 2013, që njihet si Marrëveshja e Parë e cila ka ende fuqinë ligjore të një Marrëveshjeje Ndërkombëtare.

Por, kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani, deklarativisht po i sfidojnë këto zotime, duke i cilësuar si të dëmshme për interesat e Kosovës dhe që cënojnë rendin kushtetues të saj.

Madje, pas narrativës së krijuar jo mbi atë që paraqet legalisht Asociacioni i komunave me shumicë serbe, sipas Marrëveshjes së Brukselit, por mbi frikën se çfarë mund të paraqesë në një të ardhme, gjatë implementimit praktik, zyrtari amerikan theksoi se SHBA-ja nuk mbështet diçka që i ngjan Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Dua të jem i qartë se ne nuk e mbështesim dhe nuk do ta mbështesim një organizimin të tipit Republika Srpska. Nuk po i kërkojmë Kosovës asnjë aranzhim që nuk është në pajtim me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Parlamenti i Kosovës i ka ratifikuar marëveshjet e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese ka thënë se është e domosdoshme të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe gjë që ne besojmë se e bënë këtë një detyrim ligjor për qeverinë e Kosovës”, tha Chollet.

Vështirësia nuk është nëse palët duhet të angazhohen në dialog, por si ta bëjnë këtë, veçanërisht kur çështjet kanë të bëjnë me probleme tejet komplekse, megjithatë Chollet shprehu optimizmin se dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, që do të çojë drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër, është mekanizmi më i mirë për Kosovën për ta siguruar të ardhmen e saj evropiane dhe euroatlantike.

“Një nga mesazhet që sollëm këtu dhe do ta transmetojmë edhe në Beograd është se duam të shpenzojmë energjinë diplomatike amerikane për të punuar për të ardhmen euro-atlantike për Kosovën. Duam të shpenzojmë më pak energji në menaxhimin e krizave. Së këndejmi mesazhi ynë këtu dhe në Beograd është se nuk duhet të ketë veprime provokuese, duhet të shtensionojmë situatën dhe të marrim situatën në duar”, u shpreh ai.

Ndërkaq, Chollet në vizitën e tij njëditore, ka folur edhe për lidhjen e veçantë personale me Kosovën, duke kujtuar kështu punën me kolosë të diplomacisë amerikane gjatë administratës së presidentit Bill Clinton – James Baker, Strobe Talbott dhe Richard Holbrooke.

“Histori e gjatë e marrëdhënieve të mia personale me Kosovën. E duam Kosovën multietnike, sovrane dhe demomratike”, deklaroi ai teksa shtoi se duhet të kremtohet të gjitha të arriturat e Kosovës ndër vite, por se do të “vijnë shumë sfida”.

“Ne nuk duam ta shohim duke u shpërdorur gjithçka që është arritur dhe nuk duam ta shohim atë potencial të madh, që mendoj se është real, të parealizuar”.

Nëse ktheheni pas dhe shikoni ngjarjet kryesore diplomatike që karakterizuan tridhjetë vitet e fundit në rajonin e Ballkanit, diplomati amerikan i ka përjetuar të gjitha – ai ka ndihmuar në formësimin e politikës së jashtme amerikane.

Ndryshe, të enjten ai pritet të qëndrojë në Beograd, ndërsa “ofensiva e janarit” po intensifikohet në përpjekjet e Perëndimit për një marrëveshje ndërmjet palëve në dritën e njëvjetorit të fillimit të agresionit rus në Ukrainë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore