Lajme

Janjiç: Beogradi dhe Lista Serbe u pajtuan që në ditën e zgjedhjeve të mos ketë incidente  


Dusan Janjic

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës, sipas drejtorit të Forumit për Marrëdhënie Etnike në Serbi, Dushan Janjiç, nuk do të kontribuojnë në asnjë mënyrë për të përmbushur vakumin e krijuar që nga 5 nëntori kur serbët në mënyrë të organizuar u larguan nga institucionet qendrore dhe komunale ku punonin.

Për analistin politik nga Serbia gjithë në këtë mes është keq që nuk është gjetur një gjuhë e përbashkët për kthimin e Listës Serbe në institucionet e Kosovës.

“Unë jam në mesin e atyre të cilët konsiderojnë që fatkeqësisht nuk është mirë që nuk është gjetur një gjuhë e përbashkët dhe nuk është biseduar as nga shtetet e QUINT-it e as nga Prishtina e Beogradi se si Lista Serbe, që është larguar nga institucionet me një vendim të njëanshëm të kthehej në këto institucione”, ka pohuar ai në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, RTK.

Janjiç beson se të dielën e 23 prillit në ditën kur do të mbahen zgjedhjet në Veri nuk do të ketë incidente, pasi që sipas tij qeveria në Beograd është dakorduar me Listën Serbe dhe i ka inkurajuar ata që të mos krijojnë asnjë lloj incidenti dhe të lejojnë mbajtjen e tyre, por që më pas t’i kontestojnë ato nëpërmjet presionit te faktori ndërkombëtar.

Të dielën, 23 prill, mbahen zgjedhjet lokale të jashtëzakonshme në 4 komuna. Siç ka njoftuar Komisioni Qendror Zgjedhor, për shkak të sigurisë, shumica e vendvotimeve do jenë në kontejnerë të improvizuar.

Nevoja për zgjedhje erdhi pas bojkotit të orkestruar nga serbët në institucionet e Kosovës, në të gjitha nivelet.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, ka vendosur të mos marr pjesë në zgjedhje.

Kjo ka ngritur pikëpyetje për legjitimitetin e zgjedhjeve, nëse numri i atyre që dalin të votojnë do të jetë fare i vogël.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore